Pak ditë pas tërmetit, kampi që u ngrit rishtaz në Thumanë është boshatisur dhe banorët kanë kaluar në hotele në Shëngjin.
Gazetarët e Abc News vizituan disa nga këto hotele duke marrë dëshmitë e banorëve.
Banorët nuk ankohen për kushtet, por mendjen e kanë tek banesa e tyre që është shkatërruar tërësisht nga tërmeti.
“Këtu jemi mirë dhe na duhet të mbajmë mirë ambientin, por mendjen e kemi tek shtëpia. Dua të kthehem sa më parë atje”, shprehet një banorë, kurse një tjetër thotë se banorët kanë humbur edhe ato pak para se kishin, të cilat kanë mbetur nën rrënoja.
Problemi më i madh duket të jetë familjet me fëmijë, të cilët tashmë duhet t’ja fillojnë nga e para.
“Ne bëjmë si bëjmë, por familjet me fëmijë e kanë më të vështirë”, shprehen banorët.
Ata tregojnë se u kanë thënë që në këto hotele do të qendrojnë tre muaj dhe më pas do të kthehen tek banesat e tyre. /abcnews.al