Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave deklaroi se familjarët e familjeve që patën viktima nga tërmeti i 26 nëntorit duhet të strehohen në shtëpi brenda këtij muaji. Ai tregoi të gjitha vendimet e qeverisë që do të lehtësojnë jetesën e familjeve që u goditën më rëndë.
Familjet të cilat patën goditje më të rëndë nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit, sipas urdhrit të kryeministrit, duhet të jenë të akomoduara në shtëpi brenda këtij muaji.
“Maksimumi i maksimumit, brenda mesit të dhjetorit, të gjithë ata duhet të jenë nëpër shtëpi. E njëjta gjë me familjet në Durrës, e njëjta gjë me familjet në Tiranë. Ndërkohë që gjithçka vendosëm dje me aktet normative për trajtimin e tyre financiar duhet të garantohet që të jetë aktivizuar menjëherë”, bëri me dije Kryeministri.
Familjet do të kenë mundësi të zgjedhin mes dy opsioneve, por Rama tha se zgjedhja më e mirë për ta do të ishte: ikja nga ai vend do të ishte zgjidhja më e mirë, sepse qëndrimi në zonën ku humbën gjithë ata njerëz do ta bënte shumë të vështirë rikuperimin psikologjik të tyre, sidomos të fëmijëve.
Në dispozicion të familjeve është një fond të posaçëm prej 1 milionë lekësh nga i cili do të përfitojnë edhe dy familje të Kosovës, që humbën të afërmit e tyre në Durrës. Fëmijët e familjeve fatkeqe do të trajtohen me bursë për të gjithë shkollimin.
“Fondi prej 1 milionë lekësh të reja për çdo familje duhet të aktivizohet sot. Të mos harroni që janë edhe dy familje në Kosovë, që duhen kontaktuar dhe duhet ta marrin këtë fond. Ndërkohë që fëmijët duhet të marrin bursën mujore, – duke përfshirë edhe muajin nëntor pa diskutim, – prej 15 mijë lekësh të reja, që do ta kenë deri në fund të shkollimit të tyre, mbarimit të shkollës së mesme, ose mbarimit të universitetit sipas rastit”, tha Rama.
Të moshuarit do të trajtohen më pension të veçantë.
“Të gjithë ata që janë pensionistë në këto familje aktualisht, duhet të marrin këtë pension dhe shuma duhet të jetë e lëvrueshme menjëherë. Pra, nëse do të lëvrohet në dhjetor, brenda do të jetë dhe pensioni i nëntorit”, tha ai.
Përgjigja e kërkuara prej ndërkombëtarëve për fonde, Rama tha se ka ardhur dhe ajo është shumë inkurajuese. Sa i përket banesave, ndërhyrja e parë shpjegoi Artan Shkreli, zv.ministër i Infrastrukturës, do të jetë në banesat që i janë shkatërruar struktura.
Për vlerësimin e pasojave në Shqipëri ndodhen dhjetëra inxhinierë të huaj./abcnews.al

