Analisti Skënder Minxhozi në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News foli për zgjedhjet dhe votën e emigrantëve. Gjatë intervistës, Minxhozi theksoi se partitë më të organizuara mund të “zgjojnë më tepër vota”, duke shtuar se sipas tij, fiton organizimi më kapilar i socialistëve.
“Për momentin është një votë e fjetur, pra që janë persona që kanë vazhduar jetën e tyre. Fëmijët edhe kanë humbur shqipen dhe që është edhe hera e parë që ka edhe vështirësi logjistike. Pra në këtë rast, partitë më të organizuara mund të zgjojnë më tepër vota. Në këtë sens mendojnë që fiton organizimi historikisht më perfekt dhe më kapilar i socialistëve që kanë filluar të lëvizin edhe me avantazhet e të qenit në qeverisje. Për mendimin tim Politika e jashtme është një nga ata vektorë që është me pozitive në këtë qeverisje. Karta Beleri që Rama përdori dhe beteja diplomatike e fituar përballë Mitsotakis edhe në Bruksel i jep Ramës edhe një kartë të fortë. Në Itali kemi edhe marrëveshjen e pensioneve që është goxha e madhe dhe të mos harrojmë që Italia dhe Greqia kanë prezencë të madhe të shqiptarëve”, tha Minxhozi.
Nga ana e tij analisti Mentor Nazarko u shpreh: Frika është reale, nisur nga fakti që në disa tubime ndonjë nga këto parti ka treguar masivitet. Ndoshta mund të ketë edhe sondazhe. Por mund të themi që ka një rritje të partive të vogla. Ai që voton në Shqipëri, voton sipas direktivës nga ai që sjell paratë në shtëpi. Nuk shihet arsye përse të ndryshojë, kjo është një prej teorive. Teoria tjetër është që ndoshta votuesi i Diasporës është shumë i emancipuar se ky i joni…Por ka ndoshta edhe një orientim të tretë që e diferencon votuesin e Shqipërisë dhe e nxjerr më të emancipuar. Berisha mund të ketë shqetësimin për shfaqjen e partive të reja. Kjo frikë është një shqetësim që Berisha kërkon që të ruajë status quo-në.