Vajza e re, e cila ishte në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës në Tiranë, e ka rritur edhe më tej bilancin e viktimave nga tërmeti i 26 nëntorit, duke e çuar në 51 numrin e të pajetëve. 20-vjeçarja, Xhesika Biqiku nuk ia doli dot për shkak të plagëve të marra nga tullat e rëna në pallatin ku ajo banonte ditën që ra tërmeti.
“Kam gocën në spital, në reanimacion. Tani po rrinë doktorët, italiani dhe shqiptari, faleminderit shumë po u përmend një çik thonë italianët direkt ne do ta çojmë në Itali. Kam gocën e madhe, Sabinën, jashtë rrezikut. Po ashtu fol ndonjë llaf të mirë të ma çojnë gocën, të mbushë 20 vjeçe”, kështu është shprehur babai i 20-vjeçares 2 orë më parë kryeministrit Rama gjatë vizitës në Kombinat.
Por 20-vjeçarja, Xhesika Biqiku ndërroi jetë sot në Spitalin e Traumës, duke u bërë viktima e parë e tërmetit në Tiranë. Vetëm 2 orë më parë babai i Xhesikës i kërkoi mes lotësh kryeministrit Edi Rama i cili ndodhej në Kombinat ndihmë për ta dërguar jashtë vendit për kurim.
Xhesika bashkë me të motrën Sabinën mbetën të plagosura pasi iu ranë tullat në kokë, kur dolën nga shtëpia e tyre në Kombinat nga tërmeti i fortë i 26 nëntorit. Ndërkohë që Sabina ndodhet në spital jashtë rrezikut ndërsa Xhesika ishte në koma deri mesditën e sotme, kur edhe mbylli sytë.
/abcnews.al