“Mungesë metodologjie, jo vetëm e qeverisë, por e çdo institucioni shtetëror shqiptar”, e ka quajtur gazetari Endri Xhafo, menaxhimin e situatës dramatike, që la tërmeti i 26 nëntorit.
I ftuar në “Provokacija” me Mustafa Nanon, gazetari tha se, qeveria dhe instancat shtetërore, duhet ta kishin parashikuar që ndoshta do të vinte kjo ditë, dhe se duhet të ishin marrë masa. Kjo pasi të gjithë e dinë se, Shqipëria ndodhet në zonë me sizmologji të lartë, e si e tillë duhet të ishte e parapërgatitur.
Gjatë bisedës së tij Endri Xhafo tha se, menaxhimi i tragjedisë që shkaktoi tërmeti, la për të dëshiruar, e kjo u duk edhe në hezitimin e qeverisë për të shpallur “Gjendjen e Emergjencës”, ligji i të cilës është bërë nga vetë kryeministri, theksoi gazetari.
Pjesë nga biseda:
Mustafa Nano: Kam vënë re një solidaritet mes shqiptarëve që nuk e shoh në rrethana normale…
Endri Xhafo: Ka qenë i jashtëzakonshëm! A nuk është e jashtëzakonshme të shohësh Kosovarët, duke punuar dorë për dorë me Serbët?! Këto janë momente rrënqethëse. Apo të shohësh një person, i vogël në 1999, kur kishte ardhur nga Kosova në Shqipëri. Kishte ardhur përsëri tani, si pjesë e FSK (Forcave Speciale të Kosovës) për të ndihmuar. A ka histori më prekëse se kjo? Si këto gjen plot histori këto ditë, pra ka qenë një solidaritet, jo vetëm mbarëshqiptar, por edhe një solidarizim njerëzor shumë prekës”, tha ndër të tjera Xhafo./abcnews.al