Tërmeti i fuqishëm që shkaktoi të paktën 49 viktima dhe më shumë se 700 të lënduar deri më tani, përveç dëmeve materiale kolosale, na përballi me një valë të madhe solidariteti në brenda dhe jashtë vendit.
Që prej orëve të para, dhjetra kamionë me ndihma u nisën nga Kosova drejt Shqipërisë përveç ekipeve të shpëtimit.
Por, ky fluks i madh ndihmash u përball me problemin e mos koordinimit, ku mjaft kamionë nuk dinin ku të shkarkoheshin për të mos folur për abuzimet me to.
Kjo sa i përket ndihmave në ushqime, batanije, veshje etj., ndërsa orët e fundit ka nisur një situatë tjetër sa i përket ndihmave financiare.
Shkatërrimet janë të mëdha, për rekuperimin e të cilave nevojiten shuma të mëdha parash, të cilat duket se nuk po mungojnë…të paktën në letër, deri më tani.
Vetë shteti shqiptar nxorri një numër të posaçëm llogarie ku të derdheshin ndihmat financiare vetëm 24 orë pas tërmetit, ç’a konfirmon edhe një mungesë koordinimi të paktën gjatë ditës së parë pas tërmetit.
Sëfundmi, biznesmenë të mëdhenj në vend kanë deklaruar se kanë ofruar apo do të ofrojnë shuma të konsiderueshme parash në formë donacioni për të përballuar shkatërrimet e shkaktuara nga tërmeti.
Nga një përllogaritje paraprake vlerësohet se shuma totale e premtuar se do të jepet deri më tani nga një numër jo i vogël biznesmenësh është rreth 6-6.5 milion euro.
Premtimet janë bërë publike të shoqëruara me një publicitet të madh në kushtet e një fatkeqësie ku edhe vëmendja publike është e lartë.
Këtu janë përllogaritur vetëm shumat e premtuara publikisht, përmes botimeve në media në emër të këtyre biznesmenëve dhe jo ato të mbledhura nga qeveria apo nga organizata të tjera.
Po mbledhim edhe ato, shuma e dhuruar duket të jetë e konsiderueshme dhe mund të përballojë më së miri nevojat e banorëve nëse mblidhen ashtu siç është premtuar dhe dërgohen në destinacion.
Edhe pse kemi premtime për shuma të mëdha që janë dhuruar, deri më tani nuk ka asnjë informacion nga institucionet publike se si do të menaxhohen këto para.
Nuk kemi asnjë të dhënë që të shpjegojë se si janë mbledhur apo do të mblidhen prej atyre që kanë premtuar, ku do të depozitohen dhe si do të përdoren më pas.
Gjithashtu, edhe pse në dhurim nuk ka detyrim, nuk ka ende asnjë të dhënë se si do të mundësohet praktikisht mbledhja e shumave të premtuara në mënyrë që pas disa ditësh apo javësh, të mos mbetet vetëm publiciteti.
Transparenca është parësore në situata të tilla ku shumë janë të prirur të ndihmojnë në mënyrë që deklaratat për të ndihmuar të mos mbeten vetëm në kuadrin e fjalëve dhe për më tepër, paratë të shkojnë pikërisht tek personat e dëmtuar.
Në kushtet kur ka deklarata të bujshme për dhënien e shumave të mëdha, institucionet publike duhet të japin të dhëna në lidhje me:
-Cili është institucioni që do të mbledhë këto para?
-Sa është shuma e mbledhur deri më tani?
-Ku do të përdoren milionat e premtuara nga biznesmenët më të mëdhenj të vendit?
Deri në kthimin e përgjigjeve për këto pyetje, gjithçka mbetet vetëm në kuadrin e fjalëve dhe premtimeve dhe mungesës së plotë të transparencës për menaxhimin e këtyre parave. /abcnews.al