Basha: Lushnja drejtohet nga bandat, jo nga ligji

schedule14:04 - 12 Janar, 2018

schedule 14:04 - 12 Janar, 2018

Nga Lushnja kreu i opozitës Lulzim Basha u kerkoi shqiptareve t’i bashkohen protestës së 27 Janarit në Tiranë. Sipas Bashes projekti kryesor i kryeministrit eshte kapja e drejtësisë dhe mbyllja e dosjeve të krimit qeveritar.

Në turin përgatitor të protestës së paralajmëruar nga opozita për 27 Janar, kreu i demokratëve Lulzim Basha, mori shembullin e qytetit, për t’i thënë lushnjarëve se aty nuk vendos ligji, por bandat dhe ky ishte investimi më i madh i qeverisë Rama, lidhja me krimin.

“247 biznese  të mbyllura javën e parë të janarit. 13 mijë të mbyllura gjatë vitit të kaluar, po të heqësh të shtunat e të dielat, i bie që janë mbyllur 50 biznese në javë. Edi Rama i ka shpallur luftë njerëzve të thjeshtë të këtij vendi. Rinia është në dëshpërim dhe 70% e atyre që largohen janë të moshës 19 deri në 35 vjeç. Fermerët shqiptarë asnjë kacidhe nuk kanë parë dhe asnjë mbështetje nga shteti.”

Shkatërrimi i reformës në drejtësi edhe përmes kontrollit të prokurorit të përgjithshëm, pa vetting në shkelje flagrante të Kushtetutës është shpresa e fundit e kryeministrit për të mbyllur dosjet e krimit dhe korrupsionit qeveritar.

“Nuk ka për të patur reformë në drejtësi me Edi Ramën Kryeministër. Ndaj protesta e 27 janarit është edhe një thirrje për reformën në drejtësi, për drejtësinë e pakapur. Është një thirrje dhe një bashkim që Saimir Tahiri të shkojë në burg, siç duhet të shkojë në burg çdo ministër, çdo pushtetar vendor apo qëndror i faktuar në lidhje me krimin e organizuar dhe i korruptuar deri në palcë me paratë dhe asetet e shqiptarëve.”

27 janari është dita për të dhënë një mesazh të qartë – tha Basha – dhe ky mesazh vjen me pjesmarrje dhe masivitet të atyre që nuk kanë frikë ti kundërvihen aleancës me krimin.

“Pjesëmarrja masive në protestën e 27 janarit është sinjali më i qartë, treguesi më i drejtpërdrejt për çdo shqiptar, për zullumqarët dhe për miqtë e Shqipërisë, se ora e Edi Ramës në Shqipëri ka marrë fund. Se një orë e re ka nisur të trokasë. Dhe se ky vend dhe qytetarët e këtij vendi nuk e pranojnë më aleancën me krimin dhe janë të vendosur t’i shkojnë deri në fund betejës për Shqipërinë europiane”

Largimi i Edi Ramës dhe hapja e rrugës për një qeveri antimafia e aftë për të zbatuar reformën në drejtësi, e jo të mbrojë politikisht kriminelët, përmbylli kreu i selisë blu Basha./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!