Richard Grenelli ka shpërndarë në rrjetin e tij në X deklaratën e djeshme të kryeministrit shqiptarë Edi Rama, i cili në Kuvendin e Kosovës ka thënë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po mbahen peng për disa vite nga Gjykata Speciale.
“Por sot që ne jemi të gjithë këtu, në Kuvendin ku u shpall e firmos këtu përpara meje pavarësia e Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, vazhdojnë të mbahen peng, prej gati 5 vjetësh, në qelitë e një drejtësie ndërkombëtare, e cila, në çdo hap, ka zhgënjyer këdo që ka pritur prej saj, virtytet e drejtësisë së një shteti të së drejtës.
Unë as nuk e kam diskutuar ndonjëherë dhe nuk e diskutoj as sot, të drejtën e asaj Gjykatës Speciale për të bërë punën që ia ka ngarkuar vendimmarrja e kësaj salle, ku vetë Hashimi e ka ngritur dorën për formimin e asaj gjykate. Por ajo që unë nuk vij dot deri këtu në Prishtine, të marr fjalën e pastaj ta gëlltis në heshtje në këtë foltore përpara jush, në mungesë të Hashimit, në mungesë të Kadriut, në mungesë të Jakupit, në mungesë të Rexhepit, – është nyja e mbledhur në fyt prej dyshimit të madh, e krejt i arsyeshëm, për fat të keq, se ai proces është një proces i parregullt ligjor dhe se normat dhe standardet e tij janë nën standardet e drejtësisë të të gjitha vendeve demokratike që e financojnë atë farë gjykate.” tha Rama dje në Kosovë.
Kujtojmë se Grenell u nominua nga presidenti SHBA-së, Donald Trump, emisar për misione të veçanta në botë.