Gati 1,000 persona janë arrestuar në Francë gjatë një tjetër dite protestash masive, ku qindra mijëra qytetarë dolën në rrugë për të kundërshtuar koston e lartë të jetesës dhe kushtet në sistemin arsimor. Pas demonstratave kryesisht paqësore gjatë ditës së shtunë, në disa qytete shpërthyen përleshje mes protestuesve dhe policisë.
Ministria e Brendshme franceze bëri të ditur se rreth 410 mijë persona morën pjesë në protestat e së shtunës, ndërsa sindikatat vlerësuan pjesëmarrjen në rreth 800 mijë qytetarë.
Për të garantuar rendin publik, autoritetet angazhuan rreth 70 mijë efektivë policie dhe vendosën kufizime në disa qytete. Pavarësisht masave, policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmat në Paris dhe në qytete të tjera, ndërsa në Marsejë u dogjën barrikada dhe në Bordeaux protestuesit dëmtuan një ndërtesë për të marrë dërrasa që u përdorën për bllokimin e rrugëve.
Në Paris, përleshjet shpërthyen në fund të një marshimi që kishte nisur në zonën e Portës së Italisë dhe përfundonte pranë Portës së Vincennes. Sipas raportimeve, disa protestues të maskuar ngritën barrikada dhe hodhën objekte drejt policisë, ndërsa efektivët përdorën shkopinj gome për të shpërndarë grupet që po shkaktonin dëme materiale.


