Bashkia e Tiranës bën me dije se deri më tani, grupet e punës me përbërje inxhinierë konstruktor, kanë konstatuar se disa godina janë të pabanueshme në Tiranë dhe kanë udhëzuar evakuimin e banorëve.
Por, në 4 pallate, punonjësit në terren kanë hasur në rezistencën e banorëve, të cilët nuk pranojnë të lënë banesat e tyre dhe të evakuohen në qendrat sociale ose hotele të zonës, sipas udhëzimit të inxhinierëve, për të shmangur çdo rrezik të mundshëm.
“Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për të liruar menjëherë ndërtesat që janë të klasifikuar si të pabanueshme nga Instituti i Ndërtimit. Pallatet ndodhen në njësitë e mëposhtme:
– Njësia Administrative 11, rruga “Fatmir Gjata”, Kodër Kamëz;
– Njësia Administrative 4, pallati i ish-Konvikteve të Komunales së Tiranës, zona e Alliasit, Godina 1 dhe 2;
– Njësia Administrative 4, pallati nr. 4, rruga “Myslym Keta”;
– Njësia Administrative 6, pallati nr. 160 në rrugën “Llambi Bonata”, zona e ish-Kombinatit.
Banorëve u kërkohet të dalin vullnetarisht nga banesat e tyre, pasi janë të pasigurta për tu transferuar në qendrat sociale. /abcnews.al