Kongo/ OBSH jep detaje rreth sëmundjes misterioze që po prek kryesisht fëmijët e vegjël

schedule12:29 - 9 Dhjetor, 2024

schedule 12:29 - 9 Dhjetor, 2024

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) pasi dërgoi ekspertë në Republikën Demokratike të Kongos ka identifikuar një sëmundje misterioze, e cila prek kryesisht fëmijët e vegjël dhe të kequshqyerit.

Mbrëmjen e së dielës, Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se nga data 24 tetor deri më 5 dhjetor janë regjistruar 406 raste me këtë sëmundje të panjohur, prej të cilave 31 kanë qenë fatale.

Simptomat e sëmundjes përfshijnë: temperaturë, dhimbje koke, kollë, rrjedhje hundësh dhe dhimbje trupi. Sëmundja me origjinë të panjohur po përhapet në zonën Panzi dhe në provincën jugperëndimore të Kwango, DR Kongo.

Organizata vuri në dukje se të gjitha rastet e rënda u gjetën te njerëzit e kequshqyer rëndë dhe shumica te fëmijët.

OBSH deklaroi gjithashtu: “Zona është e largët dhe rurale, me hyrjen në të e penguar nga sezoni i vazhdueshëm i shirave… Këto sfida, të kombinuara me aftësitë e kufizuara diagnostikuese të disponueshme në zonë, kanë vonuar identifikimin e shkakut.”

OBSH në deklaratën e saj sqaroi se malaria është e zakonshme në rajon dhe mund të jetë përgjegjëse për disa shpërthime të sëmundjes. Në të njëjtën kohë, ekspertët vlerësojnë se është e mundur që më shumë se një sëmundje të jetë përgjegjëse për shpërthimet./abcniews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!