Zyrtarisht sipas Ministrisë së Mbrojtjes dhe Policisë së Shtetit, nga tërmeti me magnitudë 6.4 kanë humbur jetën 27 persona, ndërsa disa të tjerë mendohet të jenë nën rrënoja.
Sipas dikasterit të Mbrojtjes, 12 viktima janë regjistruar në Durres, 14 në Thumanë dhe 1 në Lezhë.
Tre janë zonat mëtë nxehta ku po bëhen ende kërkime për të nxjerrë personat që gjenden nën rrënoja.
Zona më problematike duket të jetë ajo në Kënetë të Durrësit ku dyshohet se nën rrënoja gjenden gjashtë persona, mes tyre edhe dy foshnje. Zona tjetër është ajo e Thumanës ku gjatë mëngjësit të sotëm policia tha se ka nxjerrë nga rrënojat tre trupa të pajetë, dy prej të cilëve i përkasin Pëllumb dhe Çelike Gregut.
Forcat e specializuara janë duke punuar edhe në një pallat gjashtë katësh në Durrës ku dyshohet se nën rrënoja gjenden tre persona.
Disa prej banorëve thonë se kanë familjarë të tyre të cilët ndodhen poshtë gërmadhave.
Kreu i familjes Cara u shpreh më herët për “Abc News” se 4 familjarë të tij janë zhdukur.
Ndërkohë, numri i personave të shpëtuar sipas Ministrisë së Brendshme është 45 dhe mbi 650 kanë mbetur të lënduar në total.
Fatkeqësisht ka pasur edhe nga ato raste kur banorët e nxjerrë të gjallë nga rrënojat kanë humbur jetën më vonë në spital, siç ishte rasti i piktores Diena Karanxha dhe i Saimir Gregut.
Nuk kanë munguar edhe lajmet e mira gjatë gjithë kësaj tragjedie, ku Klajdi Qato u arrit të shpëtohej pas rreth 20 orësh nga forcat e kërkim- shpëtimit në zonën e Shkëmbit të Kavajës.
Operacionet, ku janë përfshirë mbi 200 specialistë të kërkim shpëtimit dhe emergjencave civile nga vendet e rajonit dhe të BE, vijojnë pa ndërprerje. /abcnews.al