Kreu i Levizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka reaguar për ngjarjen e rëndë, ku vendi u zgjua sot i përgjakur nga tërmeti i fuqishëm i cili u regjistrua në orën 03.55.
Kurti e cilëson këtë një ditë të rëndë për kombin shqiptar, ndërsa thekson se aktivistët e vetëvendosjes janë tashmë vullnetarë.
“Me shpresën që tërmetet të mos vazhdojnë, ne sot u angazhuam si gjithë populli i Kosovës, në ndihmë të motrave e vëllezërve tanë në Shqipëri“, shprehet Kurti mes të tjerash.
Mesazhi i Albin Kurtit:
Ditë e rëndë për kombin tonë, ditë kur të gjithë jemi pranë familjarëve të viktimave e pranë popullit të Shqipërisë.
Me shpresën që tërmetet të mos vazhdojnë, ne sot u angazhuam si gjithë populli i Kosovës, në ndihmë të motrave e vëllezërve tanë në Shqipëri. Unë i shpreha solidaritetin tonë presidentit dhe kryeministrit të Shqipërisë, si dhe kryetarit të PD-së, kurse zyrtarë të Lëvizjes kanë kontaktuar me ministrat, kryetarët e shtabeve të emergjencës, duke ofruar ndihmën tonë.
Qysh prej orëve më të para të mëngjesit secili aktivist i Lëvizjes është vënë në dispozicion për të ndihmuar. Secili aktivist tash është vullnetar. Kemi mbledhur ndihma, shtroja e tesha, tenda e barna, ushqime e gjësende të ndryshme, po ashtu edhe mjekë e infermierë vullnetarë. Kamionat e ambulancat janë nisur për Shqipëri, e të tjera ende vazhdojnë të nisen.
Bashkë, forcojmë njëri-tjetrin./abcnews.al