Shqiptarët po i largohen parasë fizike/ Ekspertja: Është rritur përdorimi i kartave bankare, kjo minimizon qarkullimin e “Cash” në ekonomi

schedule14:30 - 14 Nëntor, 2024

schedule 14:30 - 14 Nëntor, 2024

TIRANË- Qytetarët shqiptarë po përdorin gjithmonë e më shumë bankat për të kryer pagesa të ndryshme. Te dhënat e fundit nga Banka e Shqipërisë konfirmojnë se ka një rritje si të kartave në qarkullim, pagesave të kryera me to, por edhe transaksionet në euro.

Gjatë këtij viti numri i kartave në qarkullim ka arritur në 1.52 milionë.

Ndërkohë që transaksionet në euro janë mbi 264 mijë të tilla me vlerë 4.2 mld euro. Ekspertja e ekonomisë, Eriola Hoxha, komentoi mbi këtë trend pozitiv të kryerjes së pagesave nëpërmjet kartave bankare.

Në një lidhje live me emisionin “Money Report”, Hoxha tha se grupmoshat që përdorin më shumë kartat janë nga 18-35 vjeç. Ajo theksoi se duhet një strategji deri diku “detyruese” që pagesat të kryhen përmes bankave duke reduktuar përdorimin e parasë cash.

“Një qytetar shqiptar tashmë është i pajisur me llogari bankare, nëpërmjet së cilës mund të kryejnë pagesa të ndryshme. Është grupmosha 18-35 vjeç, që i takon kategorisë që përdor më shumë kartat bankare. Strategjia afatmesme pajis qytetarët me llogari në bankat e nivelit të dytë. Minimizon përdorimin e fondeve Cash pa kriter duke vendosur kushte si për llogaritë individuale ashtu dhe për bizneset. Është një nismë e suksesshme. Qëllimi final është se të minimizojë qarkullimin e fondeve cash në ekonomi”, tha ajo.

Ajo theksoi se për të rritur përdorimin e kartave, duhet së pari një edukim më i mirë financiar për njerëzit dhe për bizneset.

“Nuk jemi ende në edukimin e duhur financiar. Duhet një kohë afatmesme, që edhe bizneset të gjitha kategorive të kenë instalimin e terminaleve POS për përdorim. Duhet rritja e vlerave tavan dhe dysheme”, u shpreh ajo./abcnews.al