Leonard Luzi, i njohur edhe me emrin Leonard Senjo, ose “Daku”, i dyshuar si porositës për të kryer një atentat në qytetin e Vlorës u ekstradua të shtunën nga Spanja nën masa të rrepta sigurie.
Lidhur me këtë është folur në emisionin “360 Gradë”, ku gazetarja Aida Topalli ka thënë se ai u arrestua në Spanjë, pasi ishte bërë gati të kryente një vrasje tjetër.
Ndërsa, sipas gazetarit Trashëgim Sokolaj, kapari për të kryer një vrasje zakonisht kap shumën 15 deri në 20 mijë euro, dhe e njëjta gjë ka ndodhur me Luzin, i cili ka porositur shtetasin Amarildo Nikolli për të vrarë Inez Hajrullain dhe Ervis Matodashaj.
Gazetarja Anduena Llabani ka theksuar se ekstradimi i Luzit është i rëndësishëm, sepse ky është një person që nuk ka marrë financime vetëm nga një person që jeton në Dubai, por nga shumë persona që jetojnë atje.
Topalli: “Në vitin 2013, Leonard Luzit i kanë vrarë një kushëri në Vlorë dhe në atë kohë i dyshuari kryesor ishte Ervis Matodashaj, një nga shënjestrat e gushtit të 2023.
Leonard Luzi nuk u arrestua në Spanjë, sepse ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare. Ai atje jetonte me një identitet tjetër. Duke qene se ishte bërë gati për të kryer vrasjen e një shqiptari në Spanjë, edhe është arrestuar pikërisht për këtë vepër penale. Pasi janë marrë shenjat e gishtërinjve, ka rezultuar të jetë Luzi i shpallur në kërkim. Kanë parandaluar një ngjarje kriminale tjetër”.
Sokolaj: “Kapari zakonisht është 15-20 mijë me rastet që kemi parë, si rasti i Julian Sinanajt, që kapari përfshin një financim paraprak që i mundëson killërit kryerjen e ngjarjes dhe tregon vullnetin për ta paguar me 10 apo 15 mijë euro. Në rastin konkret, ka funksionuar e njëjta skemë sepse Nikolli që është personi që është porositur për ta kryer vrasjen, është pajisur me të gjitha mjetet. Është interesant fakti që pistoleta që i është sekuestruar, është vjedhur në një dyqan armësh në Maqedoninë e Veriut në 2017 dhe tentohet të legalizohet shitja e armëve në 2023 në Vlorë”.
Llabani: “Ekstradimi i Dakut është i rëndësishëm, sepse ky është një person që nuk ka marrë financime vetëm nga një person që jeton në Dubai, por nga shumë persona që jetojnë atje. Edhe eleminimet për të cilat ne flasim e kalojnë shifrën e 500 mijë eurove. Paratë jo vetëm vijnë dorazi, por këta individë kanë exchange në Shqipëri, ku nëpërmjet parave, blihen armët, gjenden automjetet dhe grupi i strukturuar kriminal do të zbulojë shumë ngjarje kriminale surprizë”./abcnews.al