Sporti po bëhet “rozë”/ Sportistet gra “mundin” burrat në garën e sponsorave, Simone Biles është sportistja më e marketuar e vitit 2024

schedule17:46 - 9 Nëntor, 2024

schedule 17:46 - 9 Nëntor, 2024

Sporti po bëhet gjithmonë “grua”.

Këtë e kanë kuptuar mjeshtrat e marketingut të kompanive më të mëdha botërore, që gjithmonë e më shumë po kthejnë sytë nga yjet e sportit femëror dhe konfirmimi për këtë vjen nga studimi I “SportPro”, që ka publikuar edhe renditjen me atletët më të marketuar të vitit 2024.

Në vija të trasha, studimi lidhet me kontratat e sponsorizimit por edhe impaktin që kanë në rrjetet sociale, Por ka edhe parametra të tjerë financiarë dhe ekonomikë. Sipas tyre, në dhjetëshen e parë të klasifikimit, për herë të parë në 15 vitet e këtij studimi, ndarja është e barabartë mes sportistëve burra dhe gra.

Madje këto të fundit marrin edhe vendin e parë në klasifikim.

Vendin e nderit e ka Simon Bajëlls, gjimnastia amerikane që sidomos pas triumfit në Lojrat Olimpike “Paris 2024” ka një rritje marramendëse në kontratat e sponsorizimit, duke u kthyer në një ikonë publicitare e kompanine sportive dhe jo vetëm.

Sipas studimit, ajo le pas sulmuesin e Real Madrid, Vinicius Junior dhe legjendën e basketbollit amerikan LeBron Xhejms.

Ajo që bie në sy është rënia e dy prej më të mëdhenjve të futbollit në dekadat e fundit.

Lionel Messi pozicionohet në vendin e pestë, ndërsa rivali i tij i përjetshëm, Cristiano Ronaldo në vendin e nëntë.

Duket se në perëndim të karrierës së tyre, dy yjet e futbollit po humbasin edhe “sharmin” e marketingut.

Dhjetëshja e parë e kësaj renditjeje plotësohet me basketbollisten Ketlin Klark, gjimnasten tjetër medaliste olimpike, brazilianen Rebeka Andrade, futbollistin Kilian Mbape, regbisten Ilona Mahrer dhe notaren Keti Ledecki. /abcnews.al