Ish këshilltari i Presidentit Thaçi, Artan Behrami në një intervistë në emisionin “Ballkan Update” në ABC News komentoi fitoren e Donald Trump në garën për zgjedhjet Presidenciale në SHBA, duke u ndalur edhe tek ndikimi në Kosovë.
Ai u shpreh se Trump është dalluar për zgjidhjen që kërkoi t’i japë problemeve në Ballkan. Gjatë intervistës, u fokusua edhe tek procesi në Hagë për krerët e UÇK, ndërsa u shpreh se nuk pritet që të ketë ndonjë ndikim.
“Të mos krijohet iluzioni se janë fajtor dhe se del dikush nga SHBA dhe po i shpëton nga dënimi. E gjitha është krijuar me ndikim politik që të krijohet një baraspeshim me krimet që ka bërë Serbia për të ndërmjetësuar dialogun mes vende. Por deri më tani nuk ka asnjë indicie në të cilat Gjykata Speciale dhe ky panel gjyqësor mund të dënojë krerët e UÇK. Edhe sikur dikush tjetër të dalë në mbrojtje të krerëve të UÇK për të ndaluar këtë padrejtësi që u bëhet, është e mirëseardhur”, tha ai.
Gjatë intervistës, ai nënvizoi është e rëndësishme që procesi të fitohet në mënyrë që vitin e ardhshëm krerët e UKÇ të jenë të lirë.
Më tej gjatë intervistës, Behrami tha se Donald Trump do të përfshihet edhe me çështje politike të Ballkanit Perëndimor, sidomos me Kosovën.
“Ne duhet të shfrytëzojmë praninë e zotit Trump dhe duhet të investojmë në partneritet me të dhe shpresoj që qeveria e Kosovës t’i qaset kësaj administrate dhe ta bindim se kemi zgjedhjen më të mirë edhe për paqen në rajon”, shtoi ai.
/abcnews.al/