Harris vs Trump, amerikanët votojnë për presidentin e ri

schedule07:15 - 5 Nëntor, 2024

schedule 07:15 - 5 Nëntor, 2024

Qytetarët amerikanë votojnë sot për zgjedhjet historike presidenciale, për të cilat votuesit janë të ndarë në nivel vendi, por edhe në shtatë shtete kryesore që pritet të përcaktojnë rezultatin mes ish-presidentit republikan, Donald Trump, dhe nënpresidenten demokrate, Kamala Harris.

Qendrat e votimit jane hapur dhe votimet do të vazhdojnë në mbarë vendin, deri në orët e mbrëmjes në shtetet që gjenden në perëndim të Shteteve të Bashkuara.

Rezultati i kësaj gare të ngushtë nuk pritet të dihet për ditë të tëra në disa shtete sikurse Pensilvani, ku numërimi i votave me postë është proces më i ngadalshëm. Dalja në zgjedhje pritet të jetë e lartë, sipas Byrosë së Regjistrimit.

Trump po garon për herë të tretë, pasi humbi zgjedhjet më 2020 ndaj presidentit aktual, Joe Biden, i cili u tërhoq nga gara presidenciale në korrik pasi sondazhet treguan se ai kishte pasur një paraqitje të dobët gjatë debatit me Trumpin dhe kishte shqetësime lidhur me moshën e tij.

Kandidatja  e demokratëve, Kamala Harris, nëse zgjidhet do të bëhej gruaja e parë presidente e SHBA-së dhe personi i parë me prejardhje nga Azia Jugore. Trump do të bëhej presidenti i dytë në histori që do të fitonte mandat presidencial në mënyrë jo të njëpasnjëshme. I vetmi president që e kishte bërë këtë ishte Grover Cleveland, në fund të shekullit 19-të.

Kamala Harris, 60-vjeçare, e ka paraqitur veten si ndryshim brezash nga Biden, 81 vjeç, dhe Trump 78 vjeç. Ajo ka shprehur mbështetjen e saj për të drejtën e abortit pas vendimit të vitit 2022 të Gjykatës Supreme që i dha fund të drejtës kushtetuese për abort. Ajo po ashtu e ka cilësuar Trumpin si rrezik për demokracinë dhe ka përmendur rolin e tij në sulmin e 6 janarit ndaj ndërtesës së Kongresit amerikan dhe refuzimit që të pranojë humbjen nga Bideni më 2020.

Trump ka përdorur thirrjet e tij populiste për të përçuar mesazhin se gjatë mandatit të dytë ai do të bëjë më shumë për të përmirësuar ekonominë, për të frenuar valën e migrantëve që hyjnë në SHBA dhe ka thënë se do të ishte më i ashpër kundër kundërshtarëve të shtetit, sikurse Kina.

Rezultati i zgjedhjeve amerikane mund të prekë Ukrainën më shumë se çdo vend tjetër te huaj. Kandidatët kanë dy qëndrime shumë të ndryshme sa i përket mbështetjes për Ukrainën, mbrojtja e së cilës kundër trupave pushtuese ruse varet shumë nga mbështetja ushtarake, financiare dhe diplomatike që i jep SHBA.

Harris ka thënë se ajo do të vazhdojë politikën e Bidenit për të ndihmuar Ukrainën, duke shprehur dëshirën që ta shohë të mposhtur Rusinë.

Ndersa Trump ka vënë në pikëpyetje mbështetjen amerikane për Ukrainën, duke thënë se Evropa duhet ta bartë pjesën më të madhe të barrës së mbështetjes të Ukrainës kundër pushtimit të nisur nga Rusia, dhe po ashtu e ka vënë në dyshim të ardhmen e NATO-s.

Dy kandidatët presidencialë kanë tentuar që në ditët e fundit të fushatës të fitojnë sa më shumë mbështetje dhe secili prej tyre e kanë portretizuar veten si vendimtar për të ardhmen e Amerikës./abcnews.al