Izraeli sulmoi Iranin në orët e para të së shtunës.
Shpërthime janë dëgjuar në kryeqytetin Teheran, ndërsa Republika Islamike tha se këto sulme shkaktuan “dëme të kufizuara”.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thonë se sulmet ishin përgjigje ndaj “sulmeve të vazhdueshme ” nga Irani dhe pas një breshërie raketash iraniane që goditën Izraelin më 1 tetor.
Zëdhënësi i ushtrisë së Izraelit tha në një deklaratë se Irani ka “paguar çmimin” për sulmet e tij të fundit ndaj Izraelit. Ai paralajmëroi se nëse regjimi iranian bën gabim duke filluar një raund të ri përshkallëzimesh, do të marrë nje përgjigje më të ashpër.
Ushtria izraelite thotë se sulmet e së shtunës shënjestruan objektiva ushtarake iraniane, kryesisht objektet e përdorura për prodhimin e raketave apo bateritë e mbrojtjes ajrore dhe se të gjithë avionët izraelite janë kthyer të sigurt.
Zëdhënësi i ushtrisë së Izraelit saktësoi se nuk janë goditur objekte bërthamore dhe ato të naftës.
Fillimisht, objektet bërthamore dhe rezervat e naftës ishin parë si objektiva të mundshme për kundërpërgjigjen e Izraelit ndaj Iranit, por në mes të tetorit administrata e presidentit Biden njoftoi se kishte marrë garanci nga Izraeli se nuk do të godiste objektiva të tilla, çka do të përbënte edhe një përshkallëzim më të rëndë të situates.
SHBA u informuan më parë për sulmet e kësaj të shtune, që përfunduan pak para mëngjesit në Teheran, por Pentagoni tha se nuk ishin përfshirë në operacion.
Shtetet e Bashkuara i janë drejtuar drejtpërdrejt Iranit duke thënë se sulmet izraelite ishin për vetëmbrojtje. Shtëpia e Bardhë kërkoi nga Irani të shmangë sulmet e mëtejshme kundër Izraelit për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm në rajon./abcnews.al