Scholz në Indi: Duhet të përshpejtohet marrëveshja tregtare

schedule16:57 - 25 Tetor, 2024

schedule 16:57 - 25 Tetor, 2024

Në fillim të vizitës së tij në Indi Olaf Scholz bëri thirrje për “përparim të shpejtë dhe një përfundim të bisedimeve për një marrëveshje të tregtisë së lirë midis Indisë dhe Bashkimit Evropian.

“Nëse punojmë së bashku për këtë, zoti kryeministër, kjo mund të arrihet në muaj dhe jo në vite”, tha Scholz në Nju Delhi, duke iu drejtuar mikpritësit të tij, kryeministrit Narendra Modi.

Negociatat, të cilat filluan në vitin 2007, u ngrinë në vitin 2013 dhe rifilluan në vitin 2022.

Pikat e mosmarrëveshjes përfshijnë doganat e larta indiane për automjetet, mbrojtjen e pronësisë intelektuale në industrinë farmaceutike dhe liberalizimin e tregut në sektorin agrar, gjë që India e kundërshton.

India është vendi më i populluar në botë dhe demokracia më e madhe në planet. Ekonomia e saj aktualisht po rritet më shpejt se e çdo vendi tjetër të madh. Sipas vlerësimeve, India do të avancojë me dy shkallë në renditje dhe do të bëhet ekonomia e tretë më e madhe në botë pas SHBA dhe Kinës deri në fund të dekadës, duke e kaluar Gjermaninë.

Për Gjermaninë, India është çelësi për të reduktuar varësinë e madhe të industrisë së saj nga importet nga Kina.