Dimër i ashpër, ngrohja në shkolla s’merr zgjidhje

schedule15:13 - 23 Nëntor, 2019

schedule 15:13 - 23 Nëntor, 2019

Me ardhjen e stinës së dimrit, jo të gjitha shkollat i kanë marrë masat për të përballuar të ftohtin. Në Gjirokastër, zyrtarët e pushtetit vendor kërkojnë më shumë fonde, ndërsa në qytetin e Fierit nxënësit ngrohen me rezistenca të blera vetë. Vetëm në Kukës masat janë marrë në kohë. Ndjekim vëzhgimin.

Me ftohjen e motit në kopshtet dhe shkollat e vendit po nisin problemet e para në lidhje me ngrohjen. Në një prej zonave me dimër të ashpër si Qarku Gjirokastër zyrtarja e Bashkisë, Irena Karagjozi pranon faktin se ata kanë vështirësi për të mbuluar të gjitha shkolla me dru zjarri dhe në mënyrë të vazhdueshme.

“Edhe pse me vështirësi, Bashkia po i merr masat, prej të hënës, në 12 shkolla dhe 7 kopshte në qytet, si dhe 17 institucione arsimore (shkolla dhe kopshte), në njësitë administrative të kësaj bashkie, ku do të nisë shpërndarja e naftës në qytet, dhe drurit në njësitë administrative”.

Ajo ka dhe një apel për institucionet qëndrore që merren me ndarjen e fondeve.

Ndërsa në Fier ngrohja në shkolla kryhet kryesisht me rezistenca dhe përmes kontributit vullnetar të nxënësve. Këta të fundit thonë se rezistencat nuk janë të fuqishme për të ngrohur gjithë klasën.

Disi më e zgjidhur duket ngrohja në shkolla e Kukësit. Duke qenë se është një zonë me mot të ftohtë masat janë marrë në kohë dhe ka nisur shpërndarja e druve.

Deri më sot në shkollat e vendit ngrohja në dimër nuk ka marrë zgjidhje përfundimtare dhe nxënësit vijojnë të mësojnë në kushte të vështira./abcnews.al