“Të lejohen ndihmat në Gaza”, SHBA i kushtëzon armët Izraelit me përmirësimin e situatës humanitare

schedule17:47 - 15 Tetor, 2024

schedule 17:47 - 15 Tetor, 2024

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga Izraeli të përmirësojë situatën humanitare në Gaza pasi rrezikohen ndihmat ushtarake.

Përmes një letre të dërguar Tel Avivit të dielën, administrata amerikane i ka dhënë qeverisë izraelite një ultimatum prej 30 ditësh për të marrë masat e nevojshme për civilët në Gaza, pasi kushtet aktuale rrezikojnë të shkelin ligjet e SHBA-së që ndikojnë në dërgimin e ndihmave ushtarake.

Letra e hartuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin, shënon një hap të ri të rëndësishëm nga ana e Uashingtonit në përpjekje për të detyruar Izraelin të lehtësojë dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza. Ata shkruajnë se SHBA është e shqetësuar për situatën dhe kërkon veprime urgjente dhe të qëndrueshme nga qeveria izraelite.

Administrata Biden tha se që nga kjo pranverë, sasia e ndihmës së dërguar në Gaza ka rënë më shumë se 50%, ndërsa sasia e dorëzuar në shtator ishte më e ulëta që nga viti i kaluar.

Për një ndihmë të “kufizuar” foli edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni. Sipas kryeministres, qeveria italiane pezulloi dërgimin e ndihmave ushtarake të reja drejt Izraelin pas fillimit të operacioneve në Rripin e Gazës, duke kryer një analizë rast pas rasti për licencat e armëve të nënshkruara përpara sulmeve të 7 tetorit.

“Ne kemi bllokuar gjithçka. Bëjmë vlerësimin rast pas rasti për licencat e vjetra dhe aty ku ka rrezik që ky material të përdoret në krizën aktuale, ne e pezullojmë marrëveshjen”, tha Meloni.

Ndërkohë Lindja e Mesme vazhdon të “ziejë” nga konfliktet. Udhëheqësi në detyrë i Hezbollah deklaroi se grupi tashmë është i fokusuar në ‘lëndimin e armikut’. Ai tha se do të vazhdojnë të sulmojnë qytetin izraelit të Haifës por edhe Tel Avivin.

Nga ana tjetër, qindra palestinezë u mblodhën për funeralin e një djali 17-vjeçar të vrarë në Bregun Perëndimor.

Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se forcat izraelite qëlluan adoleshentin në qytetin verior gjatë një bastisje të ushtrisë./abcnews.al