“Bashkitë, përballë sfidave të shumta”, Farrici: Performanca e tyre ka ardhur duke u përmirësuar

schedule18:48 - 9 Tetor, 2024

schedule 18:48 - 9 Tetor, 2024

TIRANË- Kryeministri i vendit Edi Rama, të martën, në takimin që pati me kryetarët e bashkive dhe disa ministra të kabinetit të tij diskutoi për çështjet e emergjencave civile dhe për një proces tjetër me shumë interes, siç janë legalizimet.

Ai u kërkoi bashkive të ecin para me këtë proces dhe të adresojnë kërkesat e qytetarëve në të gjithë vendin.

Adelina Farrici, drejtuese ekzekutive e Shoqatës për Autonomi Vendore, e ftuar në “Tirana Live”, u shpreh se bashkitë në vendin tonë përballen me sfida të shumta, por ecuria dhe perfomanca e tyre në vitet e fundit është përmirësuar ndjeshëm.

“Performanca e bashkive vit pas viti kanë ardhur duke u përmirësuar, por në momente të veçanta dalin prioritete të ndryshme, ku kërkojnë vëmendje dhe analizë të punës së bërë. Janë sfida të shumta për bashkitë si menaxhimi i mbrojtjes civile, sfidë mbetet portofoli financiar dhe menaxhimi i tij. Një problem tjetër është shërbimet sociale, dhe ky është prioritet i rëndësishëm”, tha ajo.

Duke diskutuar për përgatitjen e strukturave të emergjencave civile, Farrici tha se në takimin e zhvilluar të martën mes kryeministrit, ministrave dhe kryetarëve vendorë të 61 bashkive, u vunë në pah disa çështje, të cilat duhet të adresohen sa më parë.

“Duhet një protokoll i qartë i veprimeve të strukturave të emergjencave civile. Duhet trajnim i administratës në këtë drejtim dhe kjo u adresua në këtë takim. Një nga pikat ku u fokusua diskutimi ishte ndërtimi i kalendarit për trajtimit dhe një komunikim i vazhdueshëm mes pushtetit qendror dhe atij lokal”, tha ajo.

Lidhur me procesin e legalizimeve, Farrici theksoi se vetë kryebashkiakët kanë patur interes për ta çuar para. Ajo theksoi se jo vetëm Bashkia e Shijakut, por edhe Bashkitë e tjera kanë ngritur grupe pune dhe po vijojnë takimet derë më derë për të adresuar një “plagë të madhe sociale”, siç është pjesa e legalizimeve në Shqipëri.

“Kanë qenë shumë të interesuara bashkitë, kryesisht lidershipi i pushtetit lokal, pasi është më pranë qytetarëve. Ishte një iniciativë e ministrit të shtetit për çështjet vendore. Bashkitë janë të interesuar për të çuar përpara këtë proces, në interes të qytetarëve”, tha ajo./ abcnews.al