Mesfushori i Liverpool, Fabinho, po shndërrohet dita-ditës në një nga lojtarët më të mirë në Premier League. Në rolin si mesfushor shkatërrues, Fabinho duket i rilindur dhe nën urdhrat e Klopp, po bën një punë të shkëlqyer, duke qenë shtylla e ekipit kryesues të Premier League.
Megjithatë, Fabinho nuk ka luajtur gjithmonë mesfushor, pasi e ka nisur karrierën si mbrojtës i djathtë, aty ku mori vëmendje të madhe gjatë kohës kur luante me Monaco. Verën e vitit 2018, shumë skuadra të mëdha ishin në kërkim të firmës së tij dhe këtë gjë e ka konfirmuar dhe Ricardo Assis, familjar i mesfushorit brazilian.
“Fabinho ishte në një moment të vështirë, pasi nuk dinte kë të zgjidhte. PSG, Manchester City dhe Juventus e kërkonin dhe Fabi duhet të vendoste. Megjithatë, kur oferta e Liverpool erdhi, ai nuk u mendua dy herë dhe firmosi. Mendoj se ishte zgjedhja e duhur, pavarësisht se klubet e tjera të interesuara janë klube të mëdha”./abcnews.al