Ambasadori amerikan Hovenier i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të punojnë seriozisht për marrëveshjen që i çon drejt njohjes. Ai ka kritikuar qasjen e Prishtinës ndaj partnerëve ndërkombëtarë.
“Gjyshi im ka pasur një thënie dhe ju kërkoj falje paraprakisht për këtë shprehje. Nëse dëshiron t’i bashkohesh një klubi, mos urino në derën e klubit. Nuk e shoh se si mund të bëhesh anëtare e BE-së pa bashkërendimin me të gjitha shtetet anëtare e BE-së apo si mund të bëhesh anëtari i NATO-s pa bashkërendim me shtetet anëtare të NATO-s?! Duhet t’i bindësh, Ne dëshirojmë të ndihmojmë, kjo do të thotë, duke punuar në procesin e krijuar nga vetë institucionet”, tha Hovenier.
Lidhur me këtë është diskutuar në emisionin “Ballkan Update”, ku ambasadori Albert Prenkaj u shpreh se gjuha e përdorur është jo e duhura.
“Ka kohë që diplomacia e SHBA komunikon me qeverinë e Kosovës në mënyrë publike. Por kjo që kemi dëgjuar nga ambasadori Hovenier është kulmi i komunikimit publik. Pra, për të kuptuar publiku i gjerë se në çfarë niveli apo në çfarë valësh komunikojnë SHBA në Kosovë.
Kemi pasur dhe një gjuhë të tillë të përdorur nga një ambasador këtu në Prishtinë, një sulm fizik që pati bërë VetëVendosja gjatë demostrimeve para ndërtesës së qeverisë së Kosovës. Është hera e dytë që SHBA përdor të njëjtën gjuhë ndaj VetëVendosjes. Është e pazakontë që diplomatët që janë të akredituar me shtetin të përdorin këtë lloj gjuhe. Duket se kësaj radhe, Hovenier ka vendosur t’i drejtohet drejtpërdrejt qytetarëve të Kosovës, që ta kenë vëmendjen në atë që është periudha parazgjedhore”, tha ai.
Ndërsa, kryetari i Bujanocit, Arber Pajaziti deklaroi se mesazhi i Havenier ishte i qartë dhe Kurti dhe këshilltarja e tij duhet ta kenë kuptuar.
“Kjo nuk është hera e parë që jepen mesazhe të tilla, por këtë herë ndoshta gjuha e përdorur nuk është ajo që ne jemi mësuar ta dëgjojmë nga diplomatët dhe unë uroj që ta kenë marrë mesazhin të gjithë, si këshilltarët e zotit Kurti dhe populli i Kosovës, shpresoj dhe këshilltarja e zotit Kurti e cila për momentin është dhe kryetare e komunës së Preshevës. Gjithashtu, i keni parë zhvillimet e fundit këtu, ku luhet në dy krahe, ku në njërën anë protestohet për të drejtat, në anën tjetër mbajnë takime të ndryshme me përfaqësues të qeverisë të Serbisë dhe uroj që në këtë drejtim të ketë shkuar mesazhi i qartë nga ambasadori amerikan që duhen gjërat që të konkretizohen dhe të lihen anash propaganda që ka filluar sepse jemi afër fushatës”, u shpreh ai./abcnews.al