Limit për pagesat me para në dorë/ Plani masave, kufizime për qytetarët dhe bizneset

schedule14:48 - 25 Shtator, 2024

schedule 14:48 - 25 Shtator, 2024

Qeveria do të kufizojë përdorimin e parasë cash në transaksionet e individëve. Sipas dokumentit të strategjisë afatmesme për periudhën 2024-2027, përgjatë vitit 2022 rezultoi se rreth 90% e transaksioneve për mallrat e konsumit u kryen me para në dorë.

Me qëllim reduktimin e parasë cash që qarkullon në ekonomi, ndër të tjera parashikohet edhe ulja e tavanit për para në dorë mes bizneseve që aktualisht është 150 000 lekë.

Pjesë e planit të masave të administratës tatimore do të jetë edhe krijimi I rregullave të riskut, ku do të evidentohen tatimpaguesit që fragmentizojnë faturat për të mos kaluar limitin e përcaktuar me ligj apo ato që kanë një nivel anormal faturimi me para cash.

Për të nxitur përdorimin e pagesave elektronike, është parashikuar ndër të tjera edhe ulja e komisioneve të përdorimit të terminaleve POS mes bankave të nivelit të dytë dhe tatimpaguesve. Për këtë qëllim do të krijohet edhe një grup pune mes Bankës së Shqipërisë, Ministrisë së Financave si dhe Shoqatës së Bankave. Me gjithë përpjekjet e bëra edhe nga Banka e Shqipërisë, sipas ministrisë së Financave Shqipëria ka një nivel shumë të ulët të përdorimit të POS.

Në vitin 2022, numri i POS të instaluar nga tatimpaguesit llogaritej në 18 570 të tilla, numër i papërfillshëm në raport me 125 mijë biznese që ushtrojnë aktivitet në vend.

Pikërisht mungesa e terminaleve POS në pikat e shitjes me pakicë, norma e ulët e interesit për depozita, niveli i ulët i edukimit financiar dhe mosbesimi në sektorin bankar duke preferuar pagesa në para cash listohen edhe si disa nga faktorët kryesorë se pse ekonomia shqiptare vazhdon të jetë e dominuar nga paraja fizike.

Ndër prioritetet e vendosura për periudhën 2024-2027 janë rritja e pagesave nëpërmjet e-banking, rritja e transaksioneve përmes faturave e-invoice pa para në dorë si dhe rritja e numrit të tatimpaguesve që përdorin terminale POS në ambientet e aktivitetit të tyre./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!