“Qeveria Kurti pa vizion”, Gerxhaliu: Merret me Veriun, por ka harruar ekonominë. Kosova po zbrazet në heshtje

schedule16:30 - 18 Shtator, 2024

schedule 16:30 - 18 Shtator, 2024

Eksperti i ekonomisë, Safet Gerxhaliu ka deklaruar në emisionin “Ballkan Update” se qeveria e Albin Kurtit në Kosovë është pa vizion.

Ai ka theksuar se kjo qeveri merret me çështjen e Veriut dhe urën e Ibrit, duke harruar ekonominë, që është shumë e rëndësishme për qytetarët, të cilët çdo ditë po jetojnë në varfëri të tejskajshme.

Sipas Gerxhaliut, qeveria Kurti gjithashtu ka larguar investitorët e huaj, që ishin një ndihmë shumë e madhe për vendin, pasi kjo ka bërë që numri i vendeve të punës të mos rritet.

“Nuk kemi të bëjmë këtu me gjykimin e një grupi, por është duke u gjykuar një shtet. Gjykimi i tyre apo dënimi do të hapë një kuti Pandore, të cilën shumë armiq të Kosovës do ta përdorin dhe do të fillojë një betejë e papritur. Mund të ketë pasoja të shumta, jo vetëm në aspektin diplomatik, ekonomik, por ndoshta dhe në aspektin gjeostrategjik. Mirëpo, do vijë një ditë që drejtësia do të triumfojë dhe do të krijohet një pastërti jo vetëm rreth luftës, por dhe ndaj Shqipërisë dhe Kosovës, e cila për fat të keq nuk pranohet nga 5 shtete nga BE.

 Mëkati më i madh që bën politika në Ballkanin Perëndimor, por në veçanti në Kosovë, është fakti që shumë më tepër humbet kohë për të gjetur arsyet për dështim, sesa për të gjetur rrugë për të dalë nga dështimi. Mungojnë vizionet, strategjitë ekonomike, diplomatike. Është më mirë të merresh me aspektin social, se sa me Veriun dhe urën e Ibrit, pasi Kosova po zbrazet në heshtje dhe ky është mjerimi më i madh. Në aspektin ekonomik jemi në një fazë shumë shqetësuese.

Është e çuditshme që kosovarët që vijnë nga jashtë dhe vizitojnë marketet në Kosovë, edhe habiten nga çmimet e larta. Çmimet janë shumë më të larta se në vendet perëndimore. Çdo ditë kemi rritjen e numrit të njerëzve që janë në varfëri të skajshme. Nuk zhvillohet shteti me ndihma sociale, nuk kthehet prespektiva e humbur e qytetarëve.

Kush ka investuar në Kosovë? Unë do të isha sot personi më i lumtur t’i numërojë në tre vitet e fundit vetëm 5 kompani të huaja që kanë krijuar nga 20 vende të reja pune, që nuk ekzistojnë. Nga Kosova po ikin qytetarë dhe krahas qytetarëve edhe kapitali. Kjo është një qasje politike ku tentativ ka barazinë në varfëri dhe jo zhvillimin dhe garën për zhvillim. Edhe po e them me keqardhje që Kosova vuan nga ankthi se çfarë do të ndodhë nesër, çdo ditë kemi vetëm probleme politike dhe kërcënime për luftë që ndikon në aspektin emocional te kosovarët”, tha eksperti i ekonomisë./abcnews.al