“Ky vit shkollor, më i mirë”/ Janaqi: Më pak shkolla me dy turne, investime në 600 laboratorë “smart”

schedule13:26 - 9 Shtator, 2024

schedule 13:26 - 9 Shtator, 2024

Drejtori i Agjencisë së Cilësisë në arsimin parauniversitar, Gert Janaqi thotë se ky vit shkollor, i gjen nxënësit dhe mësuesit në kushte më të mira.

Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Janaqi u shpreh se ka më pak shkolla me dy turne, teksa shtoi se paga mesatare 950 euro për mësuesit, tashmë është realitet.

Janaqi shtoi se do të rritet numri i oficerëve në shkolla dhe se instalimi i kamerave do të ndihmojë në parandalimin e fenomenit të dhunës.

“Është një vit, që është më i mirë se disa vite të tjera, në disa terma. Një pjesë e investimeve pas tërmetit dhe pandemisë, po japin frytet. 100 godina të rikonstruktuara, 25 shkollat që janë bizhuja, jo vetëm në Tiranë, janë aset i çmuar që i japin hapësirë familjeve shqiptare që fëmijët e tyre të kenë mësim më cilësor. Mësuesit vijnë më të motivuar, rritja e pagave, paga mesatare 950 euro është realitet. Profesioni i mësuesisë po bëhet profesion i lakmuar, jo vetëm nga armsitarët, por për ta përkthyer te të rinjtë. Digjitalizimi mbetet një sfidë për disa arsye. Po ecim me ritme shumë të shpejtë, flasim për inteligjencë artificiale. Shteti shqiptar po investon në laboratorë smart, janë instaluar 216 laboratorët e parë në 200 shkolla. Investimet e mëdha krijojnë hapësira për projekte që ministria ka në vëzhgim. Besoj që në harkun e disa muajve, do ketë lajme të reja se si do të pilotohen këto projekte. Sot kemi më pak shkolla me dy turne. Investimet do të vazhdojnë edhe në vitet e tjera. Arsimi ka plot sfida, por këto janë disa nga risitë”, theksoi ai./abcnews.al