Situata me flakët/ Ministria e Mbrojtjes: Janë shuar 19 vatra zjarri, 6 mbeten aktive

schedule11:07 - 3 Shtator, 2024

schedule 11:07 - 3 Shtator, 2024

Gjatë 24 orëve të fundit, situata e zjarreve në vend është ndikuar nga temperatura dhe thatësira, duke kërkuar ndërhyrje të koordinuar nga strukturat operacionale të Mbrojtjes Civile, si në nivel vendor ashtu edhe qendror.
Nga 25 vatra zjarri të raportuara, 19 janë shuar dhe vënë nën kontroll, ndërsa 6 vatra mbeten ende aktive dhe janë nën monitorim të vazhdueshëm nga ekipet tona në terren.

Një vatër e veçantë dhe problematike, për shkak edhe të terrenit të vështirë është ajo në fshatin Shëngjin, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë, ku zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të madhe me kullotë, shkurre dhe pisha. Aktualisht, zjarri është nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për zona të banuara.

Gjithashtu, mbeten aktive vatrat e zjarrit në Surroj dhe Shishtavec, bashkia Kukës – Skuraj, bashkia Kurbin – Sopot, bashkia Delvinë dhe Luf, bashkia Pukë, por ato nuk përbëjnë rrezik për qytetarët dhe pronat.

Ministria e Mbrojtjes saktëson se në operacionet e fundit për shuarjen e zjarreve janë angazhuar:

– 128 forca zjarrfikëse,
– 80 forca ushtarake,
– 17 efektivë të Policisë së Shtetit,
– 69 nga strukturat e emergjencave civile të pushtetit lokal,
– 14 punonjës të administratës së zonave të mbrojtura,
– 42 pjesëtarë të shërbimit pyjor, dhe
– 52 vullnetarë.

Gjithashtu, në operacion është përfshirë edhe helikopteri Cougar, duke ndihmuar strukturat operacionale në kontrollin dhe shuarjen e zjarreve.

/abcnews.al