Finlanda synon të ndalë blerjen e pronave nga rusët

schedule12:37 - 2 Shtator, 2024

schedule 12:37 - 2 Shtator, 2024

Qeveria e Finlandës po propozon që të ndalojë shumicën e qytetarëve rusë që të blejnë prona në këtë shtet nordik. Ky propozim është bërë për të mbrojtur sigurinë kombëtare, tha ministri i Mbrojtjes, Antti Hakkanen, më 2 shtator.

Raportet me Finlandës dhe Rusisë fqinje janë përkeqësuar që kur Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022. Kjo luftë nxiti Helsinkin që të anëtarësohet në aleancën ushtarake të NATO-s.

Ndalesa e propozuar për blerjen e pronave të patundshme nuk parashihet të prekë qytetarët me shtetësi të dyfishtë dhe rusët që kanë leje të përhershme banimi në Finlandë apo në shtetet të tjera të Bashkimit Evropian.

Ekspertët fillimisht do ta vlerësojnë këtë ndalesë të propozuar dhe më vonë të dërgohet për votim në Parlament.

“Rregulloret synojnë të parandalojnë ndikimin e mundshëm armiqësor ndaj Finlandës”, tha Hakkanen gjatë një konference për media.

Finlanda veçse është duke monitoruar rreth 3.500 prona që janë të lidhura me pronarë rusë, tha ministri i Mbrojtjes, pa dhënë më shumë detaje.

Helsinki për një kohë të gjatë ka synuar që të ndalojë rusët që të blejnë prona pranë vendndodhjeve strategjike, për shkak të raporteve mes dy shteteve. Tetorin e vitit të kaluar, Finlanda ndaloi tri blerje të pronave nga rusët, ndërkaq në janar të këtij viti edhe tri të tjera.

Finlanda ndan një kufi prej 1.340 kilometrash me Rusinë. Ky shtet ka mbyllur të gjitha pikat kufitare me Rusinë dhe ka akuzuar Kremlinin se po përdor migrimin si armë, duke i inkurajuar emigrantët aziatikë dhe afrikanë që të kërkojnë azil në Finlandë.
/rel