Një zjarr ka rënë në ish uzinën e përpunimit të naftës në Ballsh. Zjarri ka rënë në një magazinë që ndodhet në mjediset e kësaj uzine.
Gazetarja Valbona Davidhi raporton se janë evakuuar tre banesa që ndodhen pranë.
Në vendin e ngjarjes janë zjarrfikësit e Ballshit, të cilët po punojnë për të shuar flakët.
Nuk dihet ende se çfarë ka pasur në brendësi të depos por nga zjarri po çlirohet tym i zi.
Burime nga vendngjarja pohuan se brenda magazinës mund te ketë pasur solar që ka shërbyer për procese pune teknologjike vite me parë.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 19:00, në fshatin Lavdan, Ballsh, në ambjentet e një magazine private ka rënë zjarr.
Në këtë magazinë dyshohet se nga prania e lëndëve hidrokarbure të ish Uzinës së Naftës, është favorizuar përhapja e flakëve duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Shërbimet e Policisë dhe zjarrfikëses ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për shuarjen e vatrave të zjarrit.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit./abcnews.al


