Agjentët e Policisë Kombëtare Spanjolle kanë bërë të mundur shkatërrimin e një grupi shqiptarësh, nën akuzën e kultivimit të marijuanës dhe kryerjes së grabitjeve me forcë në disa institucione. Ky operacion policor bëri të mundur zbulimin e plantacionit më të madh të marijuanës që është kapur deri më sot në Aragon të Spanjës.
Plantacioni ndodhej në një zonë të pyllëzuar me terren të vështirë. Gjashtë persona janë arrestuar ndërsa janë sekuestruar 16,000 bimë, me një peshë prej 3.500 kg.
Hetimi ndaj këtij grupi kishte filluar në prill të këtij viti, kur një seri grabitjesh u zbuluan në bare të ndryshme dhe stacione karburanti, në provincën e Huesca.
Në kuadër të këtij operacioni, të quajtur ‘Kopitos’, u zbulua se veprat kriminale ishin kryer nga një grup i organizuar shqiptarësh, dhe se ky grup ishte përgjegjës për dhjetë grabitje të kryera në Huesca, Sariñena dhe Nueno.
Vetë autoritetet spanjolle njoftojnë se plantacionet ishin fshehur në zona me pyje në terren tepër të vështirë, të cilat u arritën nga agjentët pas pothuaj gjysmë ore me fuoristrada, dhe një pjesë e rrugës në këmbë, përmes shtigjeve të hapura në pyll.
Anëtarët e këtij grupit kriminal kishin prerë sipërfaqe të mëdha të pyjeve me pisha, duke shfrytëzuar sa më shumë tokën për të rritur marihuanën, dhe kishin krijuar pellgje me ujë për ujitjen e plantacionit. Ujitjen e plantacionit, e bënin të mundur me pompa uji, të cilat i vinin në punë me gjeneratorë elektrikë.
Disa prej anëtarëve të organizatës merreshin me plantacionet, për periudha të gjata kohore duke i monitoruar vazhdimisht. Këta anëtarë kishin marrë përsipër kultivimin, mirëmbajtjen dhe korrjen e plantacioneve.
Për ta bërë këtë, ata kishin ndërtuar “minikampe” ku kishin gjithçka të nevojshme, për të qëndruar në këtë terren me periudha të gjata kohore, duke i siguruar vetes një numër të madh ushqimesh që nuk mund të prisheshin, dhe madje kishin sajuar gjithashtu edhe furrë prej guri.
Duke patur të instaluar “strehëzat” e tyre pranë plantacioneve për të cilat kujdeseshin, siguronin një monitorim të vazhdueshëm të plantacioneve.
U desh një numër i madh, prej 70 agjentësh, që të bënte të mundur sekuestrimin e bimëve. Policia spanjolle nuk ka bërë me dije identitetin e 6 shqiptarëve, ndërsa ka njoftuar se kjo është ngarkesa më e madhe e kapur ndonjëherë në zonën e Aragonit në Spanjë./abcnews.al