Pas hetimeve të kryera mbi incidentin diplomatik të ndodhur me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit në Maqedoninë e Veriut ku stafi i këtij aeroportit tentoi ti merrte celularin dhe i kërkoi të skanojë çantën e dorës në kundërshtim me Konventën e Vjenës, Shkupi Zyrtar thotë se stafi i sigurisë ka pasur një sjellje profesionale.
Agjencia e Aviacionit Civil në Maqedoninë e Veriut deklaroi këtë të premte se pas kontrollit të inspektorëve të tyre dhe rishikimit të të gjitha provave, nuk është vënë re se ka pasur shkelje të procedurave të sigurisë nga punonjësit e këtij aeroporti.
Agjencia e Aviacionit Civil në Maqedoninë e Veriu u shpreh se ata kanë zbatuar rregulloret ndërkombëtare dhe se kanë kërkuar të kryejnë kontrolle mbi bagazhet e Osmanit, pasi piloti ka refuzuar të pranojë pasagjerë në Avion pa u kryer më parë këto lloje kontrollesh për të gjithë pasagjerët pa përjashtim.
Ky institucion i Shkupit Zyrtar deklaroi se nëse punonjësit e Aeroportit do të kishin vepruar ndryshe dhe nuk do të kishin kryer kontrolle Sigurie ndaj Osmanit, atëherë ata do të përballeshin me sanksione serioze.
Menjëherë pas kësaj deklarate të Agjencisë së Aviacionit Civil në Maqedoninë e Veriut reagoi edhe Institucioni I Presidencës së Kosovës duke thënë se nuk kishte asnjë element profesionaliteti në sjelljen e sigurimit të Aeroportit të Shkupit, që bllokoi lëvizjen një kreu shteti.
“Nga dhjetëra vende që kemi vizituar deri më sot, RMV është i vetmi shtet në botë që refuzon të aplikojë të drejtën ndërkombëtare dhe konventat ndërkombëtare që kanë të bëjnë me kreun e shtetit. Siç kemi deklaruar disa herë, presidentja e ka vendosur në kontroll çantën e saj dhe ajo e ka kaluar skanerin. Çdo deklaratë tjetër është propagandë për qëllime politike. Nuk ka asgjë profesionale në sjelljen e sigurimit që i del përpara kreut të një shteti dhe ia bllokon lëvizjen pasi ta ketë vendosur edhe çantën në skaner. RMV ka shkelur rregullat ndërkombëtare që aplikohen çdokund në botë duke kërkuar skanimin e telefonit të Presidentes së një shteti tjetër, gjë që do të paraqiste potencial për cenim të sigurisë kombëtare”, thuhet në reagimin e Presidencës së Kosovës.
Pas incidentit të ndodhur me Vjosa Osmanin në Aeroportin e Shkupit, Presidentja e Kosovës vendosi të ndryshojë itenerarin e saj të kthimit në vendin e saj, duke shmangur Maqedoninë e Veriut.
Ky incident i rëndë Diplomatik që përfshiu Presidenten e Kosovës Vjosa Osmanin vjen në një kohë që pjesë e Qeverisë në Maqedoninë e Veriut është edhe Koalicioni Vlen, një koalicion ky i mbështetur nga Kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
/abcnews.al/