Kylian Mbappe është një objektiv i paarritshëm. Jurgen Klopp nuk dëshiron ta vërë klubin në pozita të vështira dhe të kërkojë transferimin e sulmuesit të PSG. Kartoni i tij kushton më shumë se 250 milionë euro dhe gjermani i “The Reds” para disa kohësh e tha hapur që është një lojtar i paarritshëm, pikërisht për shkak të kostos së lartë të transferimit.
“ElDesmarque”, që para disa kohësh shkruante se Liverpool ishte gati të paguante 250 milionë euro, ndërkohë që do të shitej Salah, tashmë shkruan se anglezët kanë hequr dorë nga blerja e Mbappe. Gjithsesi Klopp e ka një dëshirë merkatoje.
Jadon Sancho, mesfushori me tipare sulmuese i Borussia Dortmund, është dëshira e madhe e merkatos për trajnerin gjerman. Futbollisti 19-vjeçar po shkëlqen në Bundesliga, teksa ka shënuar në dy sezonet e fundit 15 gola dhe numëron shumë asiste.
Vetë lojtari ia ka bërë të ditur klubit të tij aktual dëshirën për t’u larguar dhe verdhezinjtë po mendojnë të gjejnë një lojtar tjetër për ta zëvendësuar. Sancho kushton rreth 100 milionë euro dhe në Dortmund mund të bëjnë “mrekulli” me to. /abcnews.al