Presidenca ka konfirmuar edhe njëherë kallëzimin penal që do të dorëzohet të hënën në Prokurori, për kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Zëdhënësi i Presidentit Meta tha do të publikohet edhe një VIDEO përvëluese që implikon kreun e KED-së ndaj emërimit të Arta Vorpsit në Gjykatën Kushtetuese. Nga ana tjetër, Meta do të thërrasë në takim kryetarët e partive opozitare që braktisën parlamentin.
Të hënën, Presidenca njofton se do të depozitojë kallëzimin ndaj kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, të cilin e akuzon për shkelje të Kushtetutës lidhur me zgjedhjen e Arta Vorpsit si gjyqtare në Kushtetuese. Zëdhënësi i Presidentit, konfirmon se do të publikohet dhe një video e cila do të provojë përfshirjen në këtë shkelje edhe të zyrtarëve të tjerë.
“Kjo VIDEO me prova të pakundërshtueshme, do zbulojë fytyrën e vërtetë të një individi të papërgjegjshëm, i cili guxoi në mënyrë të tmerrshme kriminale t’i përvetësojë kompetencat kushtetuese Presidentit të Republikës, që as noterja e nderuar znj.Miranda Xhemalçe nuk pranoi ta bënte, pasi e dinte shumë mirë se betimi me dorën mbi Kushtetutë bëhet vetëm në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe askund tjetër”.
Presidenca njofton se kjo video po përgatitet edhe në disa gjuhë të tjera europiane, në mënyrë që të gjithë partnerët ndërkombëtarë, të mos mashtrohen më.
Po ashtu, presidenca ka njoftuar se krahas duelit me KED-në, Meta po punon edhe me opozitën.
Presidenti Meta do të kërkojë takim me të gjithë kryetarët e Partive Parlamentare që braktisën Kuvendin në shkurt 2019, “për të diskutuar lidhur me situatën dramatike ku ndodhet vendi. Padyshim do të ketë edhe të tjera inisiativa, vendime dhe takime shumë të rëndësishme”,-thuhet në njoftim!