Në mesditë rriten vranësirat, parashikimi i motit, si do të ndryshojnë temperaturat

schedule08:10 - 24 Korrik, 2024

schedule 08:10 - 24 Korrik, 2024

Sipas MeteoAlb, pjesa e parë e ditës do të jetë nën ndikimin e kthjellimeve dhe kalimeve të lehta të vranësirave, ku kthjellimet më të dukshme do të jenë në ultësirën perëndimore.

Por parashikohet që pas mesdite vranësirat të shtohen në të gjithë vendin tonë. Gjithashtu rritet dhe lagështira në ajër duke krijuar mundësi për reshje shiu në zonat Veriore, në shtrirjen Lindore si edhe pjesërisht në qytetet e zonës së ulët.

Vija bregdetare mbetet kryesisht vetëm me kalime vranësirash. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje të lehtë në mëngjes por ulen në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 15°C vlera më e ulët deri në 37°C vlera më e lartë e cila pritet në qarqet; Elbasan dhe Berat.

Era do të fryjë mesatare në tokë dhe deri e fortë në det me shpejtësi 45 km/h nga drejtimi Verior dhe

Veriperëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim 3 ballë.

Kosova

Republika e Kosovës deri në orët e mesditës parashikohet të jetë nën ndikimin e intervaleve të gjata me kthjellime dhe kalimeve të lehta të vranësirave. Por pritet që në pjesën e dytë të ditës vranësirat të pësojnë zhvillime duke gjeneruar reshje shiu në të gjithë territorin e Kosovës.

Shirat herë pas here gjatë orëve të pasdites do të jenë edhe në formë rrebeshi.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë një rritje të lehtë në vlerat minimale, por ulen ndjeshëm maksimalet duke u luhatur nga 14°C vlera minimale deri në 32°C maksimalja në rang territori.

Era do të fryjë mesatare por herë pas-here e fortë me shpejtësi deri në 35 km/h nga drejtimi kryesisht veriperëndimor.

Maqedonia e Veriut

Maqedonia e Veriut vijon nën ndikimin e motit të qëndrueshëm në orët e para të ditës, duke bërë që të ketë alternime kthjellimesh dhe kalime vranësirash.

Por parashikohet që në pjesën e dytë të ditës vranësirat të zhvillohen gradualisht duke gjeneruar reshje shiu në të gjithë MV.

Pritet që në zona të izoluara të ketë dhe rrebeshe të përkohshme.

Përsa i përket, temperaturave te ajrit do të vijojnë të rriten vlerat minimale, por do të ulen maksimalet duke luhatur vlerat ditore nga 15°C vlera minimale deri në 35°C vlera maksimale në rang vendi. Ndërkohë era do të fryjë mesatare dhe e fortë përgjatë gjithë ditës duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 33 km/h nga drejtimi Verior – Veriperëndimor.

Europa

Europa Veriore dhe pjesërisht Qendra e kontinentit do të jenë nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike duke bërë që vranësirat të gjenerojnë rrebeshe shiu të shoqëruara me mini stuhi lokale ere.

Gjithashtu nën mbizotërimin e vranësirave të shpeshta paraqitet Ballkani Veriore dhe pjesërisht Qendror, ku dhe pritet që vranësirat të gjenerojnë rrebeshe afatshkurtra shiu. Ndërsa Brigjet e Egjeut dhe gadishulli Iberik do të jenë nën dominimin e intervaleve të gjata me kthjellime. Me mot të qëndrueshëm do të jetë Britania e Madhe e zonat Lindore të Kontinentit.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!