Një nga armiqësitë më të mëdha në futboll është ajo mes Zhoze Murinjos dhe Antonio Kontes. Të dy trajnerët kanë shkëmbyer akuza dhe fyerje të rënda për njëri-tjetrin.
Gjithçka nisi në këtë ndeshje.
Në tetor të 2016-ës, Çelsi mposhti 4-0 Mançester Junajtidin, në një triumf të Antonio Kontes ndaj rivalit të tij, Zhoze Murinjo, në ndeshjen e fazës së parë të Premier Ligës.
Portugezi nuk e priti aspak mirë mënyrën sesi festoi italiani, dhe në fund të ndeshjes I tha diçka në vesh, pikërisht fjalët “është e turpshme që të festohet kështu një fitore”.
Që nga ajo kohë nisi një armiqësi që tashmë mund të quhet si më e madhja mes dy trajnerësh që nga kohë që nuk mbahen mend.
Konte refuzoi t’i jepte dorën Murinjos në mbyllje të takimit të radhës në “Stemford Brixh”, nëntorin e kaluar, ndeshje e kampionatit që u fitua 1-0 nga Çelsi, falë golit të Alvaro Moratës.
Pak ditë më parë, Murinjo I hodhi benzinë zjarrit në një konferencë për shtyp, duke akuzuar Konten, por edhe trajnerin e Liverpulit, Jurgen Klop
“Fakti që unë nuk sillem si kloun gjatë ndeshjeve, nuk do të thotë se unë e kam humbur pasionin tim. Unë pëlqej të sillem kështu siç po sillem, duke qenë shumë më I pjekur. Kjo është më mirë për skuadrën time, për mua. Nuk besoj se duhet të sillesh si I çmendur në vijën anësore që të kesh këtë pasion, një pasion që ju e shikoni çdo ditë”.
Konte nuk e vonoi përgjigjen.
“Mendoj se ai duhet të shikojë veten në të kaluarën. Ndoshta, ai po fliste për vetveten në të kaluarën. Mendoj se ndonjëherë njeriu harron se kush ka qenë dhe si është sjellë në të kaluarën. Ndonjëherë mendoj se kjo duhet quajtur një sëmundje mendore, pra “harresë mendore”.
Padyshim, Konte e kishte fjalën për vrapimin e çmendur të Murinjos në “Old Traford”, pas golit që kualifikoi Porton në Ligën e Kampionëve në vitin 2004, ndaj Mançester Junajtidit të Sër Aleks Fergusonit.
Natyrisht që kjo nuk I pëlqeu rivalit, që e vazhdoi edhe më tej polemikën.
“E vetmja gjë që dua të them për ta mbyllur këtë histori është që, po, unë kam bërë gabime në të kaluarën, edhe gjatë ndeshjeve. Do të bëj edhe në të ardhmen, por besoj më pak. Gjithsesi, tek unë nuk ka ndodhur kurrë dhe nuk do të ndodhë kurrë që të dënohem për trukim ndeshjesh”.
Pas kësaj akuze të rëndë, erdhi përballja Noruiç-Çelsi për Kupën e Anglisë, që përfundoi pa gola, dhe Konte u ngacmua përsëri për Murinjon.
Italiani u përgjigj shumë më ashpër, por edhe duke kërcënuar.
“Kur dikur bën komente për të ofenduar të tjerët, kjo do të thotë se ai është një njeri I vogël, dhe Murinjo është një njeri I vogël. Ne e njohim shumë mirë Murinjon, edhe për të kaluarën e tij, dhe ai ka qenë gjithnjë kështu. Gjithsesi, do të kemi një mundësi shumë të mirë kur të luajmë ndaj Mançester Junajtidit dhe mund të sqarohemi, unë edhe ai ballë për ballë”.
Përballja e radhës mes dy trajnerëve do të jetë në 25 shkurt në “Old Traford” dhe të shikojmë sesi do të sqarohen Konte e Murinjo./abcnews.al