Atentatin me armë ku mbeti i plagosur ish presidenti Donald Trump gjatë një tubimi electoral në Pensilvani e ka dënuar ashpër edhe Tirana zyrtare.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj e ka konsideruar një ngjarje të rëndë për Shtetet e Bashkuara. Sipas kreut të shtetit shqiptar asnjë formë e dhunës politike nuk ka vend për në Amerikë.
“I trishtuar për atentatin ndaj Presidentit Donald Trump. I uroj Presidentit Trump një shërim të shpejtë dhe i shpreh ngushëllimet e mia më të thella për humbjen e një jete të pafajshme Gjithashtu dënojmë sulmin dhe të gjitha format e dhunës politike, të cilat nuk kanë vend në demokraci”, ka shkruar Begaj.
Për ngjarjen e rëndë ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë thekson se është shqetësuese të shohësh që një kandidat për president në SHBA qëllohet gjatë një tubimi, duke e cilësuar si tragjedi për botën demokratike.
“Është shqetësuese të shohësh që një kandidat për President të Shteteve të Bashkuara të qëllohet gjatë një tubimi dhe të dëgjosh se një pjesëmarrës ka vdekur, dhe disa të tjerë kanë mbetur të plagosur. Kjo është një tragjedi për botën demokratike.Mendimet e mia shkojnë për ish-presidentin Trump dhe familjen e tij. Ne të gjithë shpresojmë se kjo ngjarje e tmerrshme do të bashkojë Amerikën dhe të gjithë njerëzit e botës demokratike kundër të gjitha formave të dhunës”, ka shkruar Rama.
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka reaguar gjithashtu për atentatin ndaj ish presidentit, duke theksuar se dhuna dhe demokracia janë të papajtueshme./abcnews.al