Eksperti i gjeo-politikës, Agim Krasniqi ka folur për 48 bazat ushtarake serbe që janë të vendosur përgjatë kufirit me Kosovën. Në një lidhje me Skype nga Prishtina për emisionin “360 Gradë”, ai ka thënë se rreziku i ndërhyrjes së strukturave serbe në Veriun e Kosovës nuk përjashtohet dhe është theksuar edhe nga zyrtarët amerikanë.
“Rreziku potencial i një ndërhyrje të strukturave serbe në veriun e Kosovës, e kanë theksuar dhe zyrtarët e shtetit amerikan, duke përfshirë edhe presidentin Biden, deklaratat e të cilit ia kanë dërguar Beogradit. Megjithatë, rreziku për një plan të dytë nuk përjashtohet”, u shpreh Krasniqi.
Ndërsa, kapiteni Artur Meçollari ka thënë se situata në Kosovë është e paqendrueshme nga pikëpamja e stabilitetit. Sipas tij, sa më shumë rritet tensioni midis Perëndimit dhe Rusisë, aq më shumë Serbia është e detyruar të rrisi veprimet e saj kundër Kosovës.
“Këto pika në veprim, pavarësisht se mund të mos kenë kapacitetin në hyrjen e forcave të territorit, kanë disa funksione të tjera. Këto pika kryejnë disa funksione të tjera siç është funksioni i informacionit të mbulimit, i kundërzbulimit, i mbështetjes logjistike, i mbështjes së forcave, të cilat infiltrohen në Kosovë dhe nuk është çudi që të jenë pika vartëse të qendrës së Nishit. Para një dite funksionari i lartë deklaroi se situata në Kosovë është e paqendrueshme nga pikëpamja e stabilitetit, që do të thotë sa më shumë rritet tensioni midis Perëndimit dhe Rusisë, aq më shumë Serbia është e detyruar të rrisi veprimet e saj kundër Kosovës”, shtoi Meçollari./abcnews.al