Europiani i vërtetë po luhet në Francë

schedule21:31 - 8 Korrik, 2024

schedule 21:31 - 8 Korrik, 2024

Nga Sokol Balla

Në Francë nuk ka vend sot për asgjë tjetër veç futbollit. Aq rëndësi ka kombëtarja e gjelave tashmë në gjysmëfinale të Europianit, sa mjaftoi një fjali e Kylian Mbappe kundër Le Pen, që Franca të shokonte Le Pen dhe botën, në balotazhin e mbrëmshëm jo vetëm të nxirrte të parën të majtën e bashkuar, bile Macron të dytin.

Macron, një mik personal i Kylian Mbappe dhe një mjeshtër i komunikimit publik, për dy javë arriti të ngrihej nga një rezultat katastrofik, në një vend të dytë, i cili duket përcaktues për fatet e qeverisjes së vendit, i cili prej kohësh vuan nga trazirat e përplasje sociale.

Kjo u pa sot, kur ai jo vetëm nuk pranoi dorëheqjen e kryeministrit të tij Attal, por nxorri përfaqësues të lartë politikë të partisë së tij, të cilët konfirmuan atë që po kthehet në një realitet: se e vetmja gjë e qartë është humbja e Le Pen, por jo emri i fituesit të vërtetë.

Sepse fitues vërtetë është e majta, por numrat në Parlament nuk i ka për të qeverisur. Për këtë i duhen dhe votat e partisë së Macron. Por përfaqësues të saj dolën po sot, dhe i vunë kushte të majtës për të hequr dorë pikërisht nga disa prej piketave elektorale me të cilat ajo fitoi zgedhjet.

Dhe ndërsa Melenchon i prishi festën të djathtës, do duket e vështirë që ai të mbajë bashkë të majtën, e cila mezi u bashkua pas një fushate që u drejtua më shumë ndaj Macron sesa Le Pen. Nje koalicion i brishtë komunistësh të gjelbërish dhe socialistësh, e që nëse copëtohet, mund të afrojë Macron më shumë me Le Pen, humbësen reale.

E cila ndoshta nuk ka kushte, dhe për të ulur tonalitetin e humbjes, do jetë gati të mbështesë një qeveri ku të marrë pjesë, qoftë dhe me të njëjtin kryeministër. Atij të cilit Macron i refuzoi dorëheqjen sot. Me sa duket jo në funksion të stabilitetit, sesa të hapjes së pazareve politike.

Po përse ka rëndësi te ne, se çka ndodh në Francë? E thjeshtë: Shqipëria nuk është me një vend i izoluar. Dikur, kur ishim nën influencën e Moskës, u pyet një lider lindor në Bullgari, se përse ecte me çadër hapur në Sofje, kur nuk binte shi. “Bie në Moskë”, u përgjigj ai. Dhe si për ironi të fatit, se çka ndodh në Paris për ne në Tiranë ka rëndësi, për shkak të Moskës

Kremlini është një luftë që ngjan gjithnjë e më shumë reale me Perëndimin, në frontin e Ukrainës, ndërsa paratë ruse ashtu si dikur furnizonin arkat e partive komuniste europerëndimore, tani duket se financojnë partitë e ekstremit të djathtë në kontinent: qëllimi justifikon mjetin.

Dhe këto parti janë euroskeptike, janë kundër BE, e aq më shumë kundër zgjerimit. Dhe ja ku na prek kjo gjë ne. Sidomos në momentin më të mirë historik të raporteve mes Tiranës dhe Parisit, çka ndodh në Paris është jetike për ne në Tiranë. Por edhe në Prishtinë. Larg qoftë për arsye të ndryshme.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!