Një skeme zhvatjeje e pacienteve te diagnostikuar me kancer dhe orientimi i tyre drejt privatit doli ne skene nga dhjetëra mesazhe që shkëmbenin mjekët e Onkologjikut. Komunikime që tregojnë mungesë empatie e konfidencialiteti, përdorim të informacioneve të pacientevë, që në përballje me tumorin i besojnë mjekut pa ngritur pikëpyetje. Emisioni “Gjerat Tona”, ndonëse e kishte mbyllur sezonin prej dy javësh, rikthehet sonte në një transmetim të jashtëzakonshëm me detaje nga dosja e Prokurorisë, të hetimeve, bisedave dhe më dëshmi që tregojnë se si u shkel paturpësisht betimi i Hipokratit.
Në Shqipëri numërohen çdo vit 6 mijë raste të reja me kancer, në rritje kanë ardhur edhe shtrimet në spital. Sëmundjet tumorale mbeten shkaku i dytë më i shpeshtë i fataliteteve, duke shkaktuar rreth 16% të vdekjeve çdo vit.
Sëmundja e shekullit, për të cilën po bëhen përpjekje të vazhdueshme për ta luftuar, ishte kthyer në biznes nga grupi i mjekëve e infermierëve të Spitalit Onkologjik. Kur mjekësia çdo vit e më shumë po i afrohet vaksinës kundër kancerit, pa çka se shifrat e fataliteteve sa vijnë e rriten, mjekët e Onkologjikut në Tiranë, e shihnin sëmundjen si mënyrë pasurimi. Madje duke menduar edhe për pushime në Maldive, Tajlandë apo gjetkë. Ata që pas zotit shihen si shpresa e fundit nga pacientë e të afërm të tyre, që janë gati të marrin borxh e kredi vetëm për të jetuar qoftë edhe disa muaj më tepër, në fakt ishin kthyer në një makineri zhvatjeje, duke u marrë edhe pikën e fundit të gjakut.
Ajo që flitej e tentohet të dokumentohej me prova nga pacientë, të afërm të tyre e madje edhe gazetarë, për korrupsionin në sistemin e shëndetësisë, doli në skenë në një dosje hetimore të Prokurorisë së Tiranës, aty ku në fakt ka më shumë vuajtje e dhimbje se askund tjetër. Te spitali Onkologjik. Ai vend, që supozohej të mbante gjallë shpresën e pacientëve e familjarëve të tyre, në fakt ishte kthyer në ferr.
Bisedat në një grup Watsapp-i që u bënë publike dëshmuan një skemë të mirëfillte abuzimi me bluzat e bardha, me kurat dhe ilaçet. Dëshmuan mungesë totale empatie nga ana e mjekëve që nuk i lidh më asgjë me atë betim që bëjnë në nisje të profesionit të tyre.
Gjatë një hetimi në tetor të vitit 2023, Prokuroria e Tiranës, zbuloi se disa medikamente që shiteshin ne farmaci, ishin vetëm për përdorim spitalor, specifikisht në spitalin Onkologjik dhe shërbenin për trajtimin e tumoreve të ndryshme. Kjo gjetje nxiti Prokurorinë të vijojë hetimet me përgjime të bisedave të personave të dyshuar, vëzhgime në terren, por duke bërë edhe blerje me agjentë të infiltruar, duke zbuluar rastet e pacientëve të ndryshëm, të cilëve nuk u jepej trajtimi i duhur mjekësor në shërbimin e Onkologjisë në QSUT.
E megjithëse tashmë skema u zbulua e të paktën 7 mjekë u vendosën në masë sigurie për shpërdorim detyre e ndoshta më vonë hetimet mund të dokumentojnë edhe korrupsionin, Onkologjiku vazhdon punën, ndonëse tashmë me mungesë edhe më të madhe besimi nga pacientët e të afërmit e tyre. Por nga e gjithë ky skandal i zbuluar, të humburit do vazhdojnë të jenë vetëm pacientët.
Në këtë episod të emisionit “Gjerat Tona”, që transmetohet sonte në orën 21:00, të titulluar “Turpëruesit e Hipokratit” zbardhim detaje të hetimeve dhe bisedave, jo për të bërë konsumin e radhës, as për të bërë drejtësinë hyjnore, por për të kujtuar rëndësinë e detyrës së mjekut dhe atij betimi që daton që prej vitit 460 para lindjes së Krishtit./abcnews.al