Shqipëria U-20 barazon 1-1 në ndeshjen e dytë në turneun e Arabisë Saudite ndaj Irakut

schedule20:16 - 28 Qershor, 2024

schedule 20:16 - 28 Qershor, 2024

Shqipëria U-20 zhvilloi pasditen e sotme ndeshjen e dytë në turneun “Al Dyar Al-Arabiya WAFF U19 Championship – KSA 2024” në Arabinë Saudite ku kuqezinjtë marrin pjesë së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Jordaninë, Kuvajtin, Jemenin, Libanin, Palestinën, Irakun, Sirinë, Bahrainin dhe Omanin.

Shqipëria U-20 në ndeshjen e dytë të grupit B u përballë me Irakun dhe kjo sfidë përfundoi në barazim me rezultatin 1-1. Golin e vetëm për kuqezinjtë e shënoi Flavio Sulejmani.

Trajneri Alban Bushi e nisi me këtë formacion titullar ndeshjen ndaj Irakut: Guilio Veliaj (GK), Denis Sulo, Antonios Dhama, Adi Kurti (C), Klevis Haxhari, Ermal Meta, Jordi Jaku, Ledjo Tresa, Dejvi Metaj, Devit Demircani dhe Frederik Tosku.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte e barabartë dhe u mbyll në barazim pa gola 0-0. Ndërsa fraksioni i dytë nuk nisi mirë për Shqipërinë. Në minutën e 48-të Jordi Jaku u ndëshkua me karton të kuq dhe kuqezinjtë mbetën me dhjetë lojtarë.

Skuadra e Irakut mori avantazhin në minutën e 58-të me Adnan. Në vijim trajneri Alban Bushi kreu disa zëvendësimi dhe ishte Flavio Sulejmani ai që barazoi rezultatin për kuqezinjtë në minutën e 71-të. Deri në fundin e ndeshjes skuadra e Irakut krijoi disa të rrezikshme por portieri Guilio Veliaj bëri disa pritje spektakolare dhe ishte lojtari më i mirë në fushë për kuqezinjtë. Në fund sfida u mbyll në barazim me rezultatin 1-1.

Shqipëria U-20 do të luajë ndeshjen e tretë dhe të fundit në grupin B të dielën më datë 30 qershor ndaj Jordanisë. /FSHF

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!