Pas miratimit në 11 prill në Kuvend me 73 vota të socialistëve, Komisioni për dezinformimin u konstitua këtë të mërkurë, vetëm me pjesëmarrjen e maxhorancës. Ashtu sikurse kishin paralajmëruar, që nga njoftimi për ngritjen e këtij komisioni, opozita ka bojkotuar këtë mbledhje të pare. Por, duke ju referuar Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Braçe theksoi se duhet të ketë gjithë përfshirje në luftën ndaj dezinformimit.
“Opozita duhet të jetë pjesë e rëndësishme e kësaj lufte. Unë dhe kolegët e mi kemi dhënë të gjithë kohën e mjaftueshme që opozita të njihet me fenomenin ta pranojë atë. Për të zbehur çdo lloj paragjykimi, objekti i punës nuk do të jetë individi. Çdo individ ka hapësirën e vet të mbështetur në ligj. Objekti i punës së këtij komisioni është interesi kombëtar dhe siguria kombëtare. Kjo betejë nuk bëhet pa median, media ka dy statuse kontributore dhe mbikëqyrëse e punës së këtij komisioni.”, u shpreh Erjon Braçe, kryetar i Komisionit për Dezinformimin.
Bledi Çuçi, i cili njoftoi në 28 mars ngritjen e “Dezinformimit” kërkoi që opozita të përfshihet në këtë proces. Sipas tij, ky është një shqetësim që lidhet me zhvillimin e teknologjisë, të cilit bota demokratike duhet t’i përgjigjet siç duhet me vendosjen e rregullave.
“Vërtet është nga ato komisionet qe nuk duhet pare si pjese e luftës partiake mes mazhorancës dhe opozitës. Me vjen keq qe koleget e opozitës ende sot nuk kanë shprehur gatishmërinë për te ardhur. Dizinformimi është një fenomen historik prej Egjipti të lashtë dhe deri me sot, madje deri në atë pike sa kane deformuar fakte historike. Ajo qe na ul sot në këtë komision është shqetësimi që ka bota perëndimore demokratike se ky fenomen mund të cenojë vlerat tona demokratike”, tha Çuçi.
Ky komision ka si qëllim identifikimin e fushatave dezinformuese në media, mbështetjen financiare të mediave apo organizatave të shoqërisë civile dhe do të ushtrojë funksionet e tij për 12 muaj. Në përfundim të punës, Komisioni do të përgatisë një raport me analizat, gjetjet dhe propozimet për ndryshimet ligjore dhe masat administrative.
/abcnews.al/