Policia ka gjetur trupat e pajetë të një gruaje 53-vjeçare dhe tre fëmijëve, nga 2 deri në 11 vjeç, pas rënies së zjarrit në një ndërtesë në Vietnam. Ngjarja ka ndodhur në një ndërtesë gjashtëkatëshe dhe tre të rritur kanë arritur të shpëtojnë duke u hedhur në çatitë e ndërtesave fqinje.
Më shumë se 100 punonjës shpëtimi dhe 12 makina zjarrfikëse nxituan në zonë për të vënë nën kontroll zjarrin, i fundit në një seri zjarresh në kryeqytetin vietnamez.
Kjo tragjedi vjen pak javë pasi 14 persona humbën jetën nga zjarri në një pallat banimi në qendër të kryeqytetit.
Vietnami është përballur me disa zjarre vdekjeprurëse në vitet e fundit, duke vënë në pikëpyetje respektimin e rregullave bazë të sigurisë, të cilat ndonjëherë injorohen në Azinë Juglindore.
Në shtator 2023, një zjarr në një ndërtesë apartamentesh në Hanoi shkaktoi 56 viktima dhhe ishte më vdekjeprurësi në dy dekadat e fundit,
Tre persona humbën jetën dje në një tjetër zjarr në qytetin Bac Giang, i cili ndodhet 50 kilometra në veri të Hanoi./abcnews.al