“Opozita, në krizë të thellë përfaqësimi”, Nazarko: PD rrezikon të zhduket si disa parti në Lindje

schedule20:07 - 13 Qershor, 2024

schedule 20:07 - 13 Qershor, 2024

Analisti Mentor Nazarko thotë se opozita është në një krizë të thellë përfaqësimi. I ftuar në emisionin “Real Story”, analisti u shpreh se PD rrezikon të zhduket teksa mori shembull edhe disa parti jashtë vendit, të krijuara pas rënies së murit të Berlinit, që janë zhdukur.

“Të dyja krahët, qoftë më i madhi që është ai i Berishës dhe ai i Bashës, nuk janë përfaqësues. Unë i jam mbajtur pikëpamjes që në Shqipëri ka frymë opozitare, njerëzit që janë kundër qeverisë janë më shumë sesa 50 përqind. Por që kjo e thellon dramën. Kur ekziston një frymë e tillë pakënaqësie me qeverinë ndërkohë që rezultatet elektorale janë ato që janë dhe në pikëpamje të kompaktësisë dhe faktorit opozitar të kemi këtë nivel përçarje, sigurisht që drama është më e madhe. Ne e kemi diskutuar dhe me praninë e dikujt që njeh historinë e PD, se si partitë në lindje komuniste kanë hyrë pas rënies së murit të Berlinit dhe janë zhdukur kudo në lindje.

Dhe PD mund të zhdukej dhe nuk do të ishte ndonjë dramë. Ashtu siç ka ndodhur edhe në vendet fqinje të Perëndimit, në Itali. Ka ikur Partia Demokristiane. Në këtë kuptim, kjo PD që mori vulën në mënyrë të merituar është identifikuar vetëm me një person, me Berishën. Lufta më e fortë që bëhet midis dy kraheve është se kë kontrollon Rama. Me kë bën pazaret. Kjo është përplasja e tyre “doktrinare” më e fuqishme. Në fakt, Rama ka luajtur me të dy për të bërë pazaret që i nevojiten për të funksionuar pushteti i tij por ja ku jemi, opozicioni është në një krizë të madhe përfaqësimi. Çka është më e keqja në kanalet ekzistuese të afirmimit të resë politike nuk po shihet asnjë e re.

Edhe në partitë tradicionale ekzistuese nuk po shohim alternativa të reja, vetëm individë dhe nuk është argument ky, që për shkak të qëndrimit të gjatë të PS në pushtet, këto kanale kontrollohen. Liria mund të shfaqet edhe në ato hapësira mediatike që nuk kontrollohen si rrjetet sociale. Përshembull në Itali, partitë që kanë lindur, janë rritur kryesisht në rrjete sociale. Hapësirat e lirisë ekzistojnë, partia tradicionale opozitare është në këtë krizë përfaqësimi dhe besueshmërie dhe ndërkohë shumica e popullit mendoj se është e pakënaqur nga qeveria.”, u shpreh Nazarko./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!