Begaj në RMV, pritet nga kryeministri Talat Xhaferi: Përmbushi detyrimet kushtetuese në realizimin e zgjedhjeve

schedule12:58 - 13 Qershor, 2024

schedule 12:58 - 13 Qershor, 2024

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë qëndrimit në Shkup zhvilloi sot një takim me Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Gjatë këtij takimi, Presidenti Begaj e përgëzoi  Xhaferi për përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe suksesin e arritur në realizimin e zgjedhjeve të fundit në Maqedoninë e Veriut, të cilat përmbushën të gjithë parametrat demokratikë si të drejta dhe të pakontestueshme.

Presidenti Begaj vlerësoi përkushtimin dhe rolin vendimtar të shqiptarëve në proceset e shtetformimit në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se bashkëpunimi ndërshtetëror dhe ndërkomunitar është çelësi i suksesit dhe stabilitetit rajonal.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë Presidenti Begaj i cilësoi si të shkëlqyera në nivelinpolitik, ndërsa propozoi zgjerimin e tyre në fusha të tjera me interes reciprok, si në ekonomi, në shkëmbime tregtare e kulturore, në sektorin e  energjisë dhe të turizmit.

Presidenti i Shqipërisë theksoi se duhet punuar fort për avancimin e projekteve të nisura në këto fusha.

Po ashtu, Presidenti Begaj vlerësoi bashkëpunimin e dy vendeve në organizmat rajonalë dhe ndërkombëtarë. Politika e jashtme dhe ajo e sigurisë e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është e linjëzuar me atë të Bashkimit Evropian, – theksoi Presidenti Begaj.

Presidenti Begaj shprehu besimin se do të vijohet në këtë mënyrë drejt finalizimit të rrugëtimit të përbashkët të dy vendeve,  me anëtarësimin në BE.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!