Nikolla përshëndet në 25-vjetorin e çlirimit: Kosova po ndërtohet me mbështetjen partnerëve strategjikë të shqiptarëve

schedule11:55 - 12 Qershor, 2024

schedule 11:55 - 12 Qershor, 2024

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e cila ndodhet në Prishtinë për të marrë pjesë në festimet  me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, përshëndeti në sesionin plenar festiv të Kuvendit te Kosovës.

“Të lumtur që kemi ardhur në Prishtinë, për të festuar 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, këtë ngjarjeje të shënuar për Kosovën, Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Çlirimi i Kosovës është vepër e popullit të Kosovës, i cili besoi dhe mbështeti, në një betejë të gjatë e të pamposhtur luftëtarët e ideve dhe të paqes, simboli i të cilëve u bë Ibrahim Rugova. Çlirimi i Kosovës është vepër e popullit të Kosovës, i cili besoi, mbështeti, luftoi bashkarisht dhe shndërroi në kauzë të vet luftën çlirimtare të luftëtarëve të luftës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, simbol i të cilëve u bë Adem Jashari dhe mijëra dëshmorë që u flijuan në luftën për çlirimin e Kosovës. Në agimin e shekullit dhe mijëvjeçarit të ri, Kosova u çlirua. Ky çlirim erdhi nga bijtë e saj.

Ky çlirim ndodhi pasi ndërgjegja, vullneti dhe aksioni i botës së lirë iu bashkua qëndresës për vite e dekada paqësore e më vonë edhe luftarake të një populli të etur për liri, shtet, vlera demokratike, paqe e progres shoqëror.

Kosova e lirë dhe e pavarur është rezultat i vullnetit, mbështetjes dhe veprimeve të aleatëve të mëdhenj dhe partnerëve strategjikë të shqiptarëve, ShBA, NATO dhe BE.

Kosova e zhvilluar, demokratike dhe paqësore do të vijojë të ndërtohet po me ndihmën e miqve dhe aleatëve tanë të mëdhenj. Me mbështetjen e tyre, e ardhmja euro-atlantike e Kosovës është e sigurt. Pa ndihmën e tyre asgjë nuk është e garantuar. Shqipëria mbështet fuqimisht zhvillimin, demokratizimin, shtimin e njohjeve dhe fuqizimin e rolit ndërkombëtar të Kosovës. Çdo sukses i Kosovës është edhe i Shqipërisë. Çdo sukses i Shqipërisë është edhe i Kosovës.

Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës po vijojnë partneritetin e ngushtë dhe bashkëpunimin intensiv, mbështesin bashkëpunimin mes qeverive dhe institucioneve, në të mirë të shqiptarëve dhe paqes në rajon. Gëzuar, Kosovë, 25-vjetorin e çlirimit!”, theksoi Nikolla.

/abcnews.al/