Rama mbërrin në Kosovë, pritet nga presidentja Vjosa Osmani

schedule09:40 - 10 Qershor, 2024

schedule 09:40 - 10 Qershor, 2024

PRISHTINË- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mbërritur në Prishtinë me rastin e 25-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës.

Kreu i qeverisë u prit nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila shkruan në Facebook se, “Bashkë, për t’i shënuar momentet më të rëndësishme të historisë së popullit tonë! Mirë se erdhe Kryeministër Rama”, shkruan Osmani.

Më pas, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, dedikuar këtij përvjetori, që mbahet në nderim të trashëgimisë politike të Presidentit Rugova, si dhe të vendeve aleate, të cilat patën një rol thelbësor gjatë viteve të luftës në Kosovë.

Kryeministri Rama do t’i adresohet një prej paneleve të Konferencës, ku do të jetë së bashku me personalitete ndërkombëtare të mirënjohur për kontributin e tyre politik në periudhën e luftës, mes të cilëve ish Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Tony Blair dhe ish Kryeministri Italian Massimo D’Alema.

Në vijim të agjendës, Kryeministri Rama do të mikpritet nga Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, ku në një ceremoni të posaçme do të nderohet me Çelësin e Qytetit.

Ndër të tjera, Kryeministri Rama do të marrë pjesë edhe në çeljen e ekspozitës së veçantë “Reporting House”, një retrospektivë e fuqishme e mediave gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ku përmes artefakteve të gazetarëve dhe veprave të artistëve, vizitorët do të njihen me historinë e luftës së viteve 1998-1999 dhe ndikimin e saj në dekadat që pasuan.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!