Kriza në Ukrainë dhe marrëdhëniet me Rusinë përpara samitit të NATO-s, që do të zhvillohet në korrik në Uashington, Lindja e Mesme dhe çështjet e ekonomisë ndërkombëtare, përpara samitit të G7 që do të zhvillohet në qershor në Itali, do të jenë në qendër të bisedimeve që po zhvillohen sot në Paris mes presidentit francez Emmanuel Macron dhe atij amerikan Joe Biden.
Presidenti francez do ta mirëpresë presidentin amerikan në monumentin e “Ushtarit të Panjohur” në Harkun e Triumfit. Më pas do të mbërrijnë në Pallatin Presidencial, ku do të zhvillojnë një drekë pune. Ndërsa vizita do të përmbyllet në mbrëmje me darkë në Pallatin Presidencial.
Burimet diplomatike franceze thanë se në lidhje me çështjen ukrainase, të dy liderët do të diskutojnë mënyrat për të forcuar më tej Ukrainën në luftën e saj me Moskën, në dritën e diskutimeve që patën dje me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Sa i përket Lindjes së Mesme, presidenti francez pritet të përsërisë mbështetjen e tij për planin amerikan, ndërsa për çështjet ekonomike do të fokusohet në çështjen e sinkronizimit të politikave ekonomike mes dy anëve të Atlantikut si dhe në çështjen e marrëdhëniet me Kinën.
Ligji amerikan për subvencionimin e industrisë së gjelbër dhe problemet e konkurrencës që ai krijon për bizneset europiane do të jenë sërish në qendër të konsultimeve.
Gjithashtu do të diskutohen çështje që lidhen me bashkëpunimin e dy vendeve në fushën e kërkimit dhe teknologjisë, kryesisht në lidhje me energjinë bërthamore dhe trajtimin e ndryshimeve klimatike.
Vizita pesëditore e presidentit amerikan në Francë do të përfundojë nesër, kur ai do të vizitojë varrezat e ushtarëve amerikanë që vdiqën gjatë zbarkimit të aleatëve në Normandi në qershor 1944.
/abcnews.al