Vrasja e recepsionistit/ Ndalohet shoferi i ambulancës, filmoi trupin e pajetë të 31-vjeçarit

schedule10:40 - 8 Qershor, 2024

schedule 10:40 - 8 Qershor, 2024

Shoferi i ambulancës në Vlorë është ndaluar nga policia. Mësohet se ai ka filmuar trupin e pajetë të Eraldo Nevruzit, 31-vjeçarit të vrarë në Dhërmi, gjatë kohës që po e transportonte në morgun e Vlorës, me qëllim që t’ia shpërndante mediave. Sakaq, raportohet se policia i ka gjetur pamjet filmike në celular.

Kujtojmë që 31-vjeçari u ekzekutua me armë zjarri nga Gerald Shehu, bashkëpronari i hotelit ku ai punonte si recepsionist. Autori e ka qëlluar Nevruzin me dy plumba. Më pas, ai i ka kërkuar dy punonjësve të tij, Daniel Qose dhe David Larti një qese për ta vendosur trupin e pajetë në bagazhin e makinës.

Njoftimi i Policisë: 

Në vijim të veprimeve hetimore që po kryhen nga grupi hetimor për dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së shtetasit Eraldo Nevruzi., grupi hetimor ka marrë informacion se shoferi i autoambulancës që po transportonte për në morgun e Vlorës trupin e shtetasit E. N., i cili u vra me armë zjarri nga shtetasi G. Sh., kishte filmuar me aparat celular trupin e pajetë për t’ua dërguar burimeve mediatike me qëllim publikimin.

Bazuar në këtë informacion, shtetasit A. I., 62 vjeç, me detyrë shofer i ambulancës së morgut, i është bërë këqyrja e aparatit celular nga grupi hetimor, ku i janë gjetur pamjet filmike të trupit të shtetasit E. N., të cilat ua kishte dërguar burimeve mediatike me qëllim publikimin.

Në vijim të veprimeve, u bë ndalimi i shtetasit A. I., 62 vjeç, me detyrë shofer i ambulancës së morgut Vlorë, për veprën penale “Zbulimi i akteve dhe të dhënave sekrete”.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë falënderon gazetarët që nuk pranuan të publikonin videon e dërguar nga ky shtetas të trupit të pajetë të shtetasit E. N./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!